Tronditet Tirana/ Motra vret motrën me thikë

552
0

Një tjetër krim në familje trondit vendit. Policia njofton se një 37-vjeçare është vrarë me thikë nga motra e saj 40-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në rrugën “Hajdar Hidri” në kryeqytet dhe fillimisht është raportuar nga familjarët si vdekje natyrale. Por sot policia ka zbardhur ngjarjen, duke deklaruar se 37-vjeçarja ka ndërruar jetë pasi është qëlluar me thikë nga motra e saj gjatë një konflikti në familje. Policia ka arrestuar motrën e viktimës.

Njoftimi i Policisë Tiranë

Ditën e djeshme, rreth orës 11:40, është marrë njoftim se në rrugën “Hajdar Hidri”, shtetasja A. P., 37 vjeçe, kishte ndërruar jetë dyshohet për shkaqe natyre.

Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe pas konstatimit të trupit të pajetë të shtetases A. P., 37 vjeçe, e cila fillimisht është raportuar si vdekje natyrale nga familjarët, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara në lidhje me rastin, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Pas kryerjes së autopsisë ka rezultuar se shtetasja A. P., 37 vjeçe, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një mjet prerës.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen M. P., 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen A. P., e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.