Skip to content

Tronditet Lezha, ekzekutohet 57-vjeçari! Vrasja dyshohet për hakmarrje

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur Lezhën në orët e para të mëngjesit të kësaj të diel, ku 57-vjeçari Pjetër Kaza është vrarë me armë zjarri në derën e banesës së tij.

    U mësua se ishin familjarët që gjetën trupin të qëlluar me armë zjarri brenda mjetit të tij, të cilin po e parkonte në oborrin e banesës.

    Policia bëri me dije se trupi është konstatuar nga bashkëshortja e viktimës rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, pak momente pasi ai ishte kthyer nga turni i natës, pasi punonte në minierën e Spaçit, në Mirditë.

    Autorët dyshohet se i kanë zënë pritë afër banesës dhe e kanë pritur të kthehej, duke e qëlluar me breshëri plumbash. Policia vendore nisi hetimet dhe bëri me dije se dinamika dhe rrethanat mbeten ende të paqarta. Krimi mendohet se është kryer me armë automatike.

    Në fshatin Tale, Lezhë, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. K., rreth 57 vjeç, banues në Tale. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur para banesës së tij, në kohën që shtetasi P. K., po kthehej për në banesë me automjetin e tij. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë vendore të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër“, njoftoi policia.

    Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.

    Pjetër Kaza është gjetur i vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së tij, ndërsa ndodhej në automjet, ndërsa pista kryesore mbetet gjakmarrja, pasi një vit më parë mësohet se Kazës i kishin vrarë edhe vëllanë në Belgjikë.

    Dhe jo vetëm kaq, pasi saga e hakmarrjes mes dy fiseve Gjini dhe Kaza në Mirditë ka nisur tre dekada më parë. Më 1994, me vrasjen e shefit të Krimeve të Policisë Ndue Kaza nga vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini. Këta të fundit janë ekzekutuar në vitin 1997 nga Martin Kaza, i cili është arrestuar në Londër dhe më pas dënuar, burgim që po e vuan pas arrestimit dhe ekstradimit më 2017.

    Por nuk u ndal këtu, pasi sipas dosjes hetimore, vitin e kaluar është ekzekutuar në Belgjikë me katër plumba edhe Agustin Kaza, vëllai i Pjetër Kazës që u vra sot.

    Forca të shumta policie kanë rrethuar vendin e krimit, në rrugën e fshatit që të çon deri te banesa e viktimës. Ekspertët kanë analizuar gjurmët dhe po merret dëshmitë e familjarëve apo banorëve që mund të kenë dijeni apo kanë parë diçka të dyshimtë.