Skip to content

Tronditëse/ Dhunohej nga burri, 44-vjeçarja rrëfen ngjarjen: Më ndoqi me sëpatë, ishte xheloz se..

    Në emisionin me “Zemër të Hapur” në News 24 me autore Evis Ahmetin është trajtuar historia e një 44-vjeçareje , nënë e dy fëmijëve të mitur, ku ka rrëfyer përjetimet e dhunës psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti i saj.

    Gruaja ndodhet aktualisht në proces divorci, duke deklaruar se dhuna e vazhdueshme për shkak të xhelozisë dhe problemeve ekonomike e shtyu të kërkojë ndarjen për të mbrojtur veten dhe fëmijët.

    Ajo tregoi se e kishte njohur atë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe, megjithëse marrëdhënia nisi me shpresa, shumë shpejt u kthye në një përditshmëri të dhunshme dhe të dhimbshme, të mbushur me xhelozi, kontroll dhe varësi ekonomike. Bashkëshorti, i cili ishte më i ri në moshë dhe pa të ardhura, ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, sidomos për shkak të xhelozisë së sëmurë dhe mungesës së punës.

    Sipas saj, Kastrioti ishte jashtëzakonisht xheloz dhe kontrollues, dhe shpesh ushtronte dhunë ndaj saj për arsye banale, si kthimi i vonuar nga puna. E detyruar të përballonte abuzimin, 44-vjeçarja shtoi se ai priste tek qendra për t’i marrë lekët dhe i kërkonte para për duhan dhe raki.

    Pavarësisht mungesës së përgjegjësisë së tij ekonomike dhe sjelljes abuzive, prindërit e burrit e mbështetnin vazhdimisht, duke i siguruar para dhe duke mos e ndëshkuar për sjelljen e tij.

    ” Unë jam e martuar prej 10 vitesh.Kastriotin e kam njohur nëpërmjet Skype. Shkëmbyem edhe numrat e telefonit. Ne nuk kemi qëndruar shumë në një lidhje por vetëm 2 muaj. Ai ishte 6 vite më i vogël se unë, kjo ishte edhe arsyeja pse nuk doja të kisha një marrëdhënie me të. Kastrioti ka qënë i martuar edhe më parë, por gruaja e tij e braktisi sepse ai nuk kishte kushte ekonomike. Ai nuk punonte , por kisha shpresë se ai do të ndryshonte.Kastrioti nuk kishte asnjë të ardhur për të më bërë mua asnjë unazë. Ai ishte një person shumë xheloz, kontrollonte celularin tim gjithmonë. Kastrioti ushtronte dhunë drejt meje, për shkak të xhelozisë dhe pse kthehesha vonë nga puna. Më priste tek qëndra shpeshherë që unë të tërheqja lekët i kërkonte për duhan dhe raki. Prindërit e tij gjithmonë e përkrahnin dhe e mbanin me lekë gjithmonë. Dëshiroja të mbroja fëmijët e mi.” tha ajo

    Gruaja tregoi se pas një sherri në darkë, për një kërkesë të bashkëshortit për të gatuar, ai nisi ta dhunonte. E detyruar të mbledhë rrobat nxitimthi, u largua nga banesa së bashku me fëmijët. Pak javë më vonë, pas një ballafaqimi në rajonin e policisë dhe premtimeve të rreme nga ana e tij, ajo u kthye në shtëpi por dhuna shpërtheu sërish, kësaj here me mjete të rrezikshme.

    “Në darkë pasi kam larë fëmijët, më kërkoi të gatuaja dicka tjetër dhe pastaj filloi të ushtronte dhunë ndaj meje. Në atë moment kam paketur rrobat dhe kam ikur bashkë me fëmijët.
    Përpara tre javësh kam bërë denoncimin dhe kam marrë një urdhër mbrojtjeje për 1 muaj. Pas ballafaqimit në rajon, i kishte kërkuar fëmijëve që të kthehesha.Pasi jam kthyer ai më dhunoi përsëri duke më ndjekur me sëpatë dhe thikë që të më gjuante. Sot jam gjallë vetëm falë motrës sime.” përfundoi 44- vjeçarja