Trondit Spartak Braho: Berisha është agjent i serbëve, kam prova!

1828
0

Ish-Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Spartak Braho ka bindjen se këto protesta shënuan fundin e kësaj opozite dhe se ka ardhur koha e një opozite të re.

“Këta deputetë që me dëshirën e tyre firmosën dorëheqjen nga mandati i deputetit, kanë kryer një nga aktet më të turpshme: ata prishën kontratën me zgjedhësit dhe, si të tillë nuk kanë më të drejtën të rizgjidhen si përfaqësues të popullit në Kuvendin e Shqipërisë” – thotë ai.

– Zoti Braho, u zhvillua edhe protesta e dytë e paralajmëruar e opozitës, ndërkohë që kemi dhe dorëzimin e mandateve nga deputetët e PD-së dhe të LSI-së. Kjo është një ngjarje e paprecedentë dhe janë të gjitha gjasat që të kemi trazira të reja politike. A jeni ju dakord me këtë perceptim?

– Jo, nuk jam dakord. Nuk shikoj asgjë dramatike në këto zhvillime. Të dyja protestat që u zhvilluan të shtunën e kaluar dhe dje dëshmuan jo forcën, por dobësinë e kësaj opozite që nuk ka asnjë tagër të marrë në duar fatet e vendit. Protesta e parë ishte dhunshme dhe dukej se Berisha dhe Basha mezi prisnin të vritej ndonjë protestues. Sepse ata i masin gjërat me kutin e tyre. Një arkivol do të ishte shumë i dobishëm për ta në këto momente. Kjo nuk ndodhi as në protestën e parë dhë as në të dytën dje, që ishte një fantazmë e zbehtë e së parës. Është i lexueshëm trishtimi i Berishës në këtë rast. Nuk e realizoi dot qëllimin e tij.

– Situata duket pa rrugëzgjidhje…

– Një gjë është e sigurt për të gjithë: Kjo opozitë nuk e meriton të qeverisë vendin dhe nuk sheh asnjë shans të vijë me rrugë normale, demokratike, pra me votë të lirë në pushtet. Populli nuk i beson një opozite të tillë. Edi Rama ka shumë të meta, në qeverisjen e tij janë evidentuar  edhe skandale, por ky popull e kupton fare qartë se një kriminel si Sali Berisha kurrsesi nuk duhet të vijë sërish në pushtet. Dhuna e kësaj opozite është krejtësisht e papranueshme në sytë e këtij populli dhe në opinionin ndërkombëtar që i ndjek live të gjitha zhvillimet. Askush nuk mund ta fshehë kokën si struci. Të gjithë janë zbuluar. Dhe ajo që duket me sy të lirë nga gjithkush është një hendek i madh dhe i pakapërcyeshëm midis qeverisjes aktuale dhe asaj që ka projektuar Sali Berisha… Prandaj dhe rruga që po ndjek kjo opozitë është krejtësisht e papranueshme… Ky është një kurth për Edi Ramën i cili për hirtë së vërtetës është lehtësisht i atakueshëm aktualisht. Por unë mendoj se situata nuk është pa rrugëzgjidhje… Rama është në një udhëkryq të rrezikshëm, por jo pa rrugëdalje. Se si do ta menaxhojë këtë situatë, e di ai. Fatmirësisht ai ka këtë radhë në krah ndërkombëtarët aktualisht që nuk duan as destabilitet dhe as krijimin e një precedenti të rrezikshëm për demokracinë dhe talljen me votën e popullit.

– Dmth kjo lloj opozite do rrëzojë Ramën apo do ulin në pazare të reja me të pandëshkuarit Ramën dhe gjithcka do rinis nga fillimi ca kohë më pas në një cikël pa fund dhune dhe mosndëshkimi?

-Rama do të bjerë nga gabimet që po bën vetë në qeverisje, por jo se e sulmon Berisha dhe Basha me Kryemadhin. Sidoqoftë unë mendoj që ka ardhur koha të pastrohet kjo klasë politike dhe kjo mendoj se do të ndodhë. Shembulli i Greqisë fqinje ku një politikan thuajse i panjohur si Cipras zhduku nga skena politike dy partitë e mëdha tradicionale të politikës greke. Kam besim se kjo do të ndodhë një ditë…

– Këtë e thoni si politikan apo si qytetar?

– Merreni si të doni. Edhe si politikan, edhe si qytetar. Unë nuk jam fillestar në politikë. I njoh me dhemb e dhëmballë të gjithë personat dhe manovrat e tyre politike.

– A mund të ngelet vendi pa opozitë?

– Zotëri, një shoqëri demokratike ka rregulla, të sanksionuara në ligje. Të gjithë pyesin se çfarë do të bëhet pas dorëzimit të mandateve të deputetit nga ana e opozitës. Asgjë nuk do të ndodhë. Pse? Sepse pengesa morale dhe ligjore që krijohet me dorëzimin e mandateve të deputetit,  pra prishja në mënyrë të njëanshme e kontratës me popullin që i votoi krijon premisa plotësisht të justifikueshme morale dhe ligjore që u heq të drejtën këtyre deputetëve të rikandidojnë në zgjedhje të tjera. Në njëfarë mënyre ata nuk e kalojnë sitën e vetingut zgjedhor dhe politik, pra si përfundim këta nuk mund të rizgjidhen në legjislaturat e ardhshme…

– Pra ju mendoni se arsyet janë më të thella të protestës së opozitës, ndryshe nga ato që deklarohen?

– Natyrisht. Ata kanë frikë nga SPAK-u që do të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta shtetërore dhe politike. Kjo strukturë do të krijohet, duan apo nuk duan këta. Që ta pengojnë apo ta vonojnë sa të jetë e mundur më shumë, ata dalin në protesta. Duke hequr dorë nga mandatet e deputetit ata pandehin se mund të bëhen pengesë për numrin e votave që duhen në Kuvend përmos krijimin e SPAK-ut. Të gjorët sa cekët mendojnë! Unë jamplotësisht i bindur se SPAK do të ngrihet dhe do të veprojë…

– Ku e mbështesni këtë besim?

– Te realiteti që po jetojmë. Te mungesa e një kauze reale dhe të besueshme tek opozita. Tjetër. Ky parlament do të funksionojë normalisht edhe për dy vjet sepse ka më shumë se tetëdhjetë vota ta mazhorancës. Do të miratojë të gjitha ligjet që nuk kërkojnë shumicë të cilësur, pra ato kushtetuese. Ndërkombëtarët që kanë dalë kundër këtij akti të opozitës, janë jo vetëm këtij akti antidemokratik, por nuk duan lejimin e një precedenti të rrezikshëm. Nesër opozita mund të jetë në pushtet dhe kjo mazhorancë të jetë në opozitë që mund të përsërisë të njëjtën sjellje. Jo, kështu nuk mund të ecet. Prandaj dhe ndërkombëtarët janë të gjithë në union kundër sjelljeve të kësaj opozite aktualisht.

– Kë keni këtu parasysh?

– Në radhë të parë Berishën, Bashën, Kryemadhin e kompani. Pra të gjithë këta deputetë që me vullnetin e tyre dorëzuan mandatin e deputetit. Këta i hëngri të gjithë dhe pamëshirshëm vetingu i rizgjedhjes si deputetë. E dini se cili është thelbi i gjithë kësaj që po ndodh? Vetingu, i cili u tregon derën e burgut. Ngaqë nuk kanë nga t’ia mbajnë ata bëjnë sikur protestojnë për gjëra të tjera shumë larg thelbit që i shqetëson realisht. Por ka edhe diçka tjetër…

– Çfarë?

– Tani që këta deputetë dorëzuan mandatet, është normale që KQZ të kërkojë kthimin e parave që u ka dhënë partive të opozitës dy vite më parë. Duhen zbatuar këto rregulla në mënyrë që askush të mos tallet me votëbesimin e popullit. Për këtë ka nevojë vendi. Nuk e di nëse e kanë marrë parasysh këtë pasojë partitë e opozitës. Është një kosto e vogël, pasi kam marrë vesh se paratë i kanë harxhuar për militantët në mitingjet antiqeveritare. Sidoqoftë, sikurse e kam theksuar dhe në intervistat e mëparshme është momenti i duhur,mbase dhe shansi i fundiit që Edi Rama të bëjë korrigjimet e nevojshme në qeverisje dhe të mbajë premtimet që i ka dhënë elektoratit të majtë. Në këtë mënyrë u djegë në duar kartërat kësaj opozite të dështuar, destruktive dhe pa asnjë vizion.

-Edhe diçka tjetër…  Ju I drejtoheni Sali Berishës kur bie fjala për opozitën. Në krye të PD-së është Lulzim Basha dhe jo Berisha. Mos duhet korrigjuar paksa shënjestra juaj?

– E dija që do të më dilnit në këtë shteg. Pse ti, i dashur Xhevdet, pandeh se PD-në e drejton Lulzim Basha? Jo mor jo! Në atë parti dhe për fat të keq në gjithë opozitën shqiptare ligjin vazhdon ta bëjë Saliu Berisha. Është për të ardhur keq që opozita aktuale vazhdon të tërhiqet nga hunda nga një zuzar, mbi të cilin rëndon një mal me krime.

– Në atë çantën tuaj emblematike çfarë keni tjetër për Berishën?

– Nuk është çanta. Një popull i tërë e tregon me gisht këtë njeri si përgjegjësin kryesor të shumë tragjedive gjatë tridhjetë viteve të fundit. Janë tridhjetë vjet! Ka ndodhur 97-a e 98-a, ka ndodhur Gërdeci e 21janari… Çfarë doni më? Ah, po! Ka edhe diçka tjetër, të përfolur, por ende ta pashpallur botërisht: janë ca dokumente që vërtetojnë shërbimin e tij të devotshëm ndaj shërbimeve sekrete serbo-jugosllave…

– Berisha ka qenë agjent i tyre?

– Po. Dhe vazhdon të jetë.

– Ju keni dokumente për këtë?

– Po. Tek DITA do t’i botoj në një kohë të përshtatshme. Deklasifikimi dhe njohja e shumë dokumenteve serbo-jugosllave do ta vërtetojnë plotësisht këtë fakt. Jam i bindur për këtë. Destabilizimi që kërkon të bëjë Sali Berisha është në skenarin e kësaj agjenture. Ai e di fare mirë se çfarë e mundon më shumë në jetën e tij, prandaj dhe vazhdon me kokëfortësi në rrugën antikombëtare. Keq, shumë keq për të, por edhe për këtë popull që vuan pasojat e paranojave të tij antishqiptare. Mbase kjo sjellje aktuale e opozitës do të shënojnë dhe fundin e tij si politikan. Le të shpëtojë njëherë e mirë Shqipëria dhe opozita aktuale nga ky zuzar politik që i ka shkaktuar aq shumë gjëma këtij vendi prej tridhjetë vjetësh… /Dita