3 motrat e moshave 3,7 dhe 11 vjeç që u paraqitën një ditë më parë në gjendje të rëndë shëndetësore në repartin e pediatrisë të spitalit rajonal të Korçës vijojnë të mbeten nën mbikqyrjen e mjekëve.
Sipas përgjegjësit të këtij reparti Robert Rado, falë ndërhyrjes mjekësore gjendja e motrave 7-11 vjeçare është e përmirësuar, ndërsa vijon të jetë e rëndë gjendja shëndetësore e vajzës 3-vjeçare, e cila për shumë orë ka qenë e intubuar.
Karamelet përmbanin esencë hashashi, ndërsa detaje të reja kanë dalë në dritë së fundmi. Karamelet janë të llojit Camino, dhe secila prej tyre përmban 10 miligram THC
THC është përbërësi kryesor kimik psikoaktiv në lëndët narkotike që shkakton efektet ‘dehëse’ që njerëzit përjetojnë kur përdorin kanabis ose produkte të tjera të tij.
Produkti është i ndaluar ligjërisht për tregtim në Shqipëri.

Policia është duke hetuar rastin për të mësuar se ku i kanë gjetur karamelet me substance narkotike të 3 motrat, ndërsa po shihen edhe kamerat e sigurisë në bizneset e lagjes numër 16 për të parë nëse ato i kanë gjetur vërtetë në kazanin e plehrave apo diku tjetër.
Gjithashtu janë marrë në pyetje familjarët dhe të afërmit e të miturave për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.