Tragjedia e Otrantos/ Humbi bashkëshorten me tre fëmijët, flet i mbijetuari Viron Xhevara: E panë që ishte plot me fëmijë, por sërish na sulmuan!

1071
0

Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV ishte i ftuar Viron Xhevara, i mbijetuar i tragjedisë së Otrantos, ngjarjje ku humbi bashkëshorten me tre fëmijët. E pas gjithë këtyrë viteve dhimbje, teksa është përpjekur të rindërtojë jetën ën SHBA, ai ka vetëm një peng: Kërkon drejtësi!

Ai tregon si e mori guximin për të hipur në anije dhe si ndodhi gjithë pjesa e sulmit, në ngjarjen makabre ku humbi 4 pjesëtarë të familjes.

“Në atë tragjedi humba shumë. Ne ramë në një kurth të madh, të tmerrshëm, direkt pas masakrës. Nga i ashtuquajturi shteti i atëhershëm e deri më sot. Shqipëria pas viteve 90 mori tatpjetën dhe gjithkush e kuptoi që aty nuk mund të jetohej. Me situatën që u krijua në mars të ’97, mora familjen të largohesha, nuk mund të pajtohesha me atë gjendje. Dikur kam qenë shofer, në kohën e komunizmit.

Edhe këtu ku jetoj, në Filadelfia, jam po shofer, punoj kamionist njësoj si im atë dikur. Atëherë u ktheva për të marrë familjen. Unë isha nisur dy-tre ditë më parë me një anije të sigurtë, por ajo pësoi një problem, shkuam deri në ishullin e Sazanit dhe u kthyem. Kur ndodhi kjo, u demoralizova, atëherë ishte dhe shumë e vështirë të gjeje anije. Ndaj kur kjo erdhi në breg nuk hezituam, donim të iknim. Ishte më e lehtë të ikje nga deti se nga toka. Ishte shumë e vështirë, e kam kthyer kokën dy-tre herë mbrapa por pastaj ika.

Nuk e menduam kurrë që do ndodhte kështu. Mendonim gjithmonë për ndonjë defekt të mundshëm por kurrsesi për atë katastrofë që ndodhi. Ishte masakër, që një anije ushtarake të godiste anijen dhe të mbyste gra dhe fëmijë duke i parë, kjo ishte e pabesueshme. Anija kishte disa dhoma ku u strehuan vetëm gratë dhe fëmijët. Ndërsa burrat qëndruan jashtë në kuvertë. Unë familjen e strehova tek kapiteneria dimërore. Herë pas herë i nxirrja fëmijët të merrnin ajër sepse i zinte deti. Unë kam parë çdo gjë dhe goditja erdhi nga ana që unë qëndroja, ndaj e pashë gjithçka. Të parën kam parë zhytjen e anijes, sepse ishin diku tek 120 vetë. Anija nuk ishte e tejmbushur dhe deti dhe moti ishte i mirë. Por sapo arritëm në ishullin e Sazanit shikojmë që na afrohet një fregatë e zezë italiane, e cila qëndronte e fshehur. Nuk u trembëm sepse menduam që edhe po të na ndodhte diçka, do kishim dikë për të na ndihmuar.

Fregata u afrua, na vuri përpara dhe filluan thirrjet me megafon që na thoshin të ktheheshim pas. U afrua kaq shumë sa nisën të krijoheshin dallgë të mëdha që na trembën mos mbyteshim. Kjo situatë vazhdoi për rreth dy orë. Ndërkohë ne ishim në Sazan dhe vazhdonim rrugën. Anija vazhdonte na kalonte me zig-zage duke krijuar dallgë të frikshme. E gjitha kjo teksa ishim në Sazan, në anën tonë, gjë që u ndalohet edhe nga ligjet e detit. Nuk menduam që do kishte ndonjë tentativë mbytje sepse ne e dimë që në raste katastrofash të tilla apo lufte ata kanë detyrë që emigrantët t’i ndihmojnë e jo t’i kthejnë.

Nuk lejohet, ndërkombëtarisht është e ndaluar. Ne nuk kishim shkelur asnjë centimetër të territorit të tyre. Atëherë ndoshta do u jepja të drejtë. Do thosha sot që ne u shkelëm pragun e shtëpisë dhe ata nuk e dinin kush ishim e ndaj kishin të drejtë, por ne s’e bëmë këtë. Nëse donin thjesht të na ndalonin mund të na kishin hedhur para një nga ato rrjetat që u hidhet emigrantëve dhe ne do ishimj kthyer, të detyruar.

Por ata thjesht kanë dashur ta justifikojnë, sepse të dyja fregatat, edhe tjetra që erdhi më vonë kishin kamera të fuqishme që kanë filmuar çdo gjë, e kanë parë nga afër. E kanë parë që anija ishte e ngarkuar me fëmijë. Mbas dy orësh kjo fregata e parë largohet dhe vjen Sibila nga Italia.

Ishte e pabesueshme kur ajo u afrua dhe mua më goditi në gjoks. Goditi atë që ishin në kapitenerinë verore, i shtypi të gjithë 20-30 veta që ishin atje, dhe pastaj erdhi tek ne. Kur goditi e përmbysi anijen dhe ne kemi rënë të gjithë në det. Ishim poshtë anijes dhe mezi kemi arritur të dalim. Kjo ishte dhe hera e fundit, kur nxirja fëmijët për të mos i zënë deti, që pashë familjen.

Kur ndodhi, nuk i pashë dot, nuk munda të arrija tek ata. Dhomat ishin të gjitha të zhytura në ujë, anija është kthyer dhe ata janë torturuar, më pas janë mbytur. Më vonë i gjeta dhe trupat e familjes, bashkëshortës, binjakëve 4 vjeç dhe vajzës 9 vjeçe, janë të varrosur në Vlorë.”, u shpreh ai./M.K/dritare.net