Xhaxhai i familjes Preka në Velipojë në të cilën katër anëtarë humbën jetën në aksidentin tragjik ka mbledhur veten duke ditur të jetë i fortë pas gjithë asaj që ka ndodhur. Gjekë Preka është ai që ka pritur gjithë këto ditë miq, të afërm dhe gjithë ata që kanë shkuar për t’u solidarizuar. Gjatë vizitës ngushëlluese të kreut të grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho dhe deputetëve e përfaqësuesve të PD Shkodër, xhaxhai shprehu disa fjalë prekëse. Ai tha se do të ishin mbushur autobotë me lot aq shumë shqiptar janë solidarizuar me familjen Preka. Xhaxhai ka një falenderim për të gjithë ndërsa thotë se për familjen e tij s’ka ku shkon më rëndë.
“Për ne s’ka më rëndë, katër viktima. Shqiptarët kanë përjetuar gjithçka, u janë djegur shtëpitë, janë djegur brenda banesave, s’kanë patur ku të varrosen disa, të tjerë kanë humbur në oqean. Po të mos e çojmë mendjen kudo atëherë nuk kemi si të qëndrojmë. Ta çojmë mendjen tek Zoti, ai ka falë njerëzit, ai i merr. Duhet të forcohemi sepse s’ka rrugë tjetër. Kjo është gjë e bukur që ka populli shqiptar.
Gjithë ky popull shqiptar na ka ngushëlluar maksimalisht, autobota me lot do të ishin mbushur aq shumë janë derdhur lot për katër njerëzit e dashur tanë që nuk jetojnë më. Falenderoj spitalin dhe ambulancën që na qëndroi një javë rresht në dispozicion sepse kështu shkoi puna jonë. Do Zoti ia shpërblejmë gjithë popullit shqiptar, gjithë miqve, të gjithë atyre që janë solidarizuar me ne, nuk gjejmë fjalë t’i falenderojmë. Zoti iu shpërbleftë me të mira të gjithëve”, shprehet Gjekë Preka.