Mbi 50 të vdekur dhe mbi 80 të plagosur nga zjarri në diskotekën “Puls”
Koçan, Maqedonia e Veriut – Një zjarr shkatërrues ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në diskotekën “Puls” në Koçan, duke shkaktuar të paktën 50 viktima dhe mbi 80 të plagosur.
Sipas informacioneve fillestare, zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë një koncerti të grupit DNA, ku po merrnin pjesë rreth 1500 persona. Paniku i shkaktuar pas shpërthimit të flakëve bëri që shumë persona të ngecnin pranë daljeve emergjente.
Evakuimi dhe të plagosurit
Më shumë se 80 të lënduar janë transportuar në klinikat e Shkupit, Spitalin Kirurgjik të Qytetit “Shën Naum Ohri” dhe spitalin “8 Shtatori”. Ndërkohë, disa të plagosur janë dërguar në spitalet e Koçanit dhe Shtipit për trajtim të menjëhershëm.
Reagimi i autoriteteve
Në Koçan ndodhen ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev dhe kryeministri Hristijan Mickoski, të cilët po ndjekin situatën nga afër.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike e Koçanit ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë. Në vendngjarje ndodhen prokurorë nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut, të cilët po mbledhin prova dhe dëshmi për të përcaktuar përgjegjësitë.
Hetimet në vijim
Shërbimet e emergjencës dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim po vijojnë operacionet e shpëtimit dhe mbikëqyrjen e situatës. Autoritetet kanë premtuar hetim të plotë dhe ndëshkim për përgjegjësit e kësaj tragjedie të rëndë.