Tragjedi e dyfishtë: Burri masakron gruan, djali e hedh nga shkallët. Humb jetën edhe 69-vjeçari

326
0

Një tragjedi e dyfishtë ka ndodhur në Konispol. 69-vjeçari Hysen Islamaj, ka masakruar me sëpatë bashkëshorten e tij 66-vjeçare Shano Islamaj pas një konflikti të çastit. Pas kësaj, 69-vjeçari është grindur me të birin 40-vjeçar, Klemendin Islamaj.

Gjatë konfliktit, djali e ka shtyrë babain nga shkallët e banesës. Hysen Islamaj ka humbur jetën në vend për shkak të plagëve të marra.

Policia ka vënë në pranga 40-vjeçarin dhe e ka shoqëruar atë në ambientet e policisë. Deri më tani nuk dihen rrethanat e plota të kësaj ngjarje. Në skenën e krimit ndodhet grupi hetimor që po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.

Informacioni paraprak i policisë

Rreth orës 07:00, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, shtetasi Hysen Islamaj, 69 vjeç, ka vrarë me mjet prerës (dyshohet sëpatë) bashkëshorten e tij, shtetasen Shano Islamaj, 66 vjeçe.

Më pas, shtetasi Hysen Islamaj dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, shtetasin Klemendin Islamaj, rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë shtetasin Hysen Islamaj nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi Hysen Islamaj ka humbur jetën në vendngjarje.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Konispol, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të autorit të dyshuar, shtetasit Klemendin Islamaj.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.