Tjetër rast tmerri Tiranë/ Mbyllte gruan në banesë nga xhelozia, e ruante me kamera dhe e dhunonte, 34-vjeçari: Kështu ma dha truri!

163
0

Telefonata në polici e një gruaje të dhunuar, çoi efektivët e komisariatit numër 3 në Kodër Institut. Ajo që panë, ishte e ngjashme me historinë e 35-vjeçarit, ekonomistit që mbante mbyllur në banesë në zonën e “Selitës” gruan me dy fëmijët e nënën e tij dhe i vëzhgonte me kamera.

E njëjta skenë horrori përsëritet. 34-vjeçari Asqeri M. i kthyer nga Gjermania pak javë më parë, futi në izolim bashkëshorten e tij nënë e 4 fëmijëve të vegjël. I vuri kamera në çdo cep të shtëpisë brenda e saj për ta monitoruar dhe sipas policisë, ka ushtuar edhe dhunë fizike.

Nëse në rastin e parë, Jetnor Zh. i kishte në trurin e tij dyshimet se kontaktet me botën do i bënin keq familjes së tij aq sa dëgjonte zëra t’i flisnin nga muri, në historinë e burrit të kthyer nga Gjermania, zërat në kokë duket se ia kishte futur nëna e tij, e cila jetonte me nusen.

Në një intervistë për gazetarët, ajo akuzon nusen se e ka tradhtuar djalin e saj.

“Mori rrugën e gabuar. Mbulo këtu e mbulo aty. Unë si nënë asnjë llaf çunit. Bëri 3 gabime, ja fala. Iku çuni jashtë shtetit 8-9 muaj, si ja nisi në telefon bam-bam.. I dolën mendtë çunit. Po kamerat kush i ka vendosi? Mizerja çuni. Ishte xheloz i paparë”, tha nëna.

Kur djali u kthye nga Gjermania mbeti gjatë pa punë, shfaqi shenja agresiviteti, e fyente gruan dhe e akuzonte se e ka tradhtuar.

Gruan e ka frenuar të punojë prej xhelozisë, por nëna e 4 fëmijëve ia kishte dalë që të paktën punën të mos e humbiste edhe pse mungoi për 2 javë.

Pamjet që në fakt i vuri të ruante gruan, kanë shërbyer që policia të zbulojë veprimet e kryefamiljarit, i cili siç burimet tregojnë për Report Tv, në disa momente teksa luan me fëmijët e vegjël, ngrihet dhe ushtron dhunë ndaj gruas. Të njëjtat burime thonë se edhe vëllai i 34-vjeçarit, rezulton i dënuar për dhunë në familje.

E vetmja përgjigje që i dha hetuesve përse e bëri të gjithën, është “Kështu ma dha truri”. Një ekspertizë mjeko-ligjore do të caktojë nëse burri ka apo jo probleme të shëndetit mendor.

Ky është rasti i dytë i izolimit të gruas në banesë që ndodh brenda pak kohësh në Tiranë. Më 26 janar një tjetër rast u zbulua në Selitë, ku 35-vjeçari Jetnor Zh., mbante të mbyllur gruan, nënën dhe fëmijët, si edhe i vëzhgonte me kamera e ushtronte dhunë fizike ndaj tyre./shqiptarja/