Për të sqaruar se çfarë ka ndodhur me shtëpinë e Marjanës dhe Qaniut në Itali, nga e cila ata pretendojnë se janë përzënë nga djali i madh, Ervini, ky i fundit merr pjesë në seancën e “Shihemi në Gjyq” përmes një lidhjeje telefonike. Në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ai thotë se nuk i ka nxjerrë prindërit dhe as i ka mashtruar, teksa hedh akuza të rënda ndaj babait se ka kryer veprime të papërshtatshme kundrejt ish-bashkëshortes dhe bashkëshortes së tij të tanishme.
Ervini thotë se për shtëpinë në fjalë synimi ishte fillimisht që të merrej me qira. Dikush i propozoi të blinte dhe Ervini u tregua i gatshëm dhe kështu u bë. Sipas Ervinit, motra dhe vëllai u thanë prindërve që shtëpia mos të vendosej në emër të tij se ai do t’i nxirrte jashtë, fakt që u përmend edhe gjatë seancës. Ervini pretendon se nuk i ka nxjerrë kurrë prindërit jashtë.
Në këtë moment, ndodh një përplasje mes Ervinit dhe Florindit, djalit tjetër të familjes që po e ndjek seancën nga publiku. Florindi, i cili ka reaguar me nënqeshje, e akuzon të vëllanë se po gënjen.
Ervin: E morëm shtëpinë. Do të fejohesha me nusen që kam sot dhe i thashë, o babi, ju në emrin tuaj nuk mund ta merrni dot shtëpinë se ka vetëm një dhomë, derisa të jem unë gjallë nuk nxjerr kush nga shtëpia, lëre çfarë thotë vëllai im, lëre çfarë thotë motra ime. Përderisa ju jetoni me mua, nuk ju nxjerr kush sa të jem unë gjallë, po vdiqa unë, bën vaki edhe mund t’ju nxjerrin.
Eni Çobani: Tani çfarë ka ndodhur?
Ervin: Vëllai im që zbardh dhëmbët aty, qesh aty…
Florind: Qesh se i ke të gjitha rrena, i ke të gjitha rrena vëlla i dashur! Të gjitha rrena i ke!
Eni Çobani: Ta dëgjojmë deri në fund Ervinin, ta mbyllim me Ervinin dhe vazhdoni ju!
Florind: Unë i zbardh dhëmbët se më vjen nga inati t’i zbardh dhëmbët! Ke mashtruar babanë, i ke marrë dokumentet e të gjitha! Plus të ka mbajtur gjithë jetën që fëmijë e deri tani me lekë, me borxhet që ke pasur gjithandej! Të kesh turp të thuash ato fjalë për prindërit! I hodhe në rrugë! E di shumë mirë ti dhe gruaja jote! I hodhe në rrugë! Apo s’e mban mend?
Ervin: S’kam hedhur njeri në rrugë unë!
Florind: Jo, jo, jo! I hodhe në rrugë! Është motra dëshmitare!
Eni Çobani: Do ta ndërpresim!
Florind: Ke sharë nënën dhe babain! Edhe the kështu o ju rrini, këtu, o mund të ikni! Prandaj qesh! I pafytyrë! Hajde këtu hajde! Hajde se ta rregulloj unë! T’i tregoj të gjitha!