Thriller në Tiranë: Vajzës i grabisin celularin, 6 djem ndjekin hajdutin dhe gjithçka mbyllet me një fund të lumtur

466
0

Shumëkujt i ka ardhur në majë të hundës Shqipëria dhe është në pritje të mundësisë së parë për t’u arratisur prej këtëj.

Një shoqëri ku anti-vlera po merr terren çdo ditë e më tepër, ku është rritur ndjeshëm kostoja e jetesës, ku meritokracia ka marrë “malet”, ndërsa kurvëria e të gjtha llojeve gëlon rrugëve, sigurisht që të bën që të mos e mendosh dy herë ikjen.

Pavarësisht këtyre, ne të Albeu.com po ju tregojmë një histori frymëzuese që ka ndodhur mbrëmë tek “Rruga e Elbasani” në Tiranë.

22-vjeçarja Z.K ishte duke pritur për dritën e gjelbërt në semafor për të kaluar në anën tjetër të rrugës, kur papritur një i ri ia rrëmben celularin nga dora dhe ikën me vrap.

Duket një situatë e pashpresë, por vajzës që e rrëfeu këtë histori për Albeu.com i erdhi një ndihmë nga andej ku nuk e priste.

“Pasi më mori celularin unë bërtita kurse hajduti iku me vrap. Një moment, pash që disa djem të tjerë që gjithashtu po prisnin hapjen e semaforit iu vunë hajdutit nga pas dhe e ndoqën për disa metra për të paktën 5 minuta. Unë isha tek semafori i Xhamisë së Madhe të Tiranës dhe ata e ndoqën deri tek ETC-ja”., rrëfen ajo për Albeu.com duke theksuar se në atë moment rruga ishte shumë e populluar.

“Mendova se e humba celularin, kur pas disa minutash, gjashtë djemtë që ndoqën hajdutin erdhën dhe ma dorëzuan celularin në dorë. Ishte një gjë shumë e bukur që më ka ndodhur. Do të thotë se ky vend ka shpresë dhe mund të bëhet”, vijon ajo rrëfimin me lot që i shfaqen në sy prej emocioneve.

“Nuk e mora vesh se si ata u bashkuan me njeri-tjetrin dhe e ndoqën hajdutin. Pasi më dhanë celularin u ndanë dhe secili iku në punën e tij”, përmbyll Z.K për Albeu.com.

E gjithë ngjarja është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë në semaforin tek Rruga e Elbasanit, ndërsa nuk munguan qytetarët që shprehen vlerësimin për aktin e bërë nga djemtë që nuk njiheshin me njeri-tjetrin, por që u bënë bashkë për të mos lejuar që një vajzë e re të grabitet në mes të qytetit