“Thirre pak Ben Lleshin të dalë në dritare”, zbardhet dëshmia e të plagosurit në burgun e Peqinit: Po gatuaja në sobë kur…

329
0

Për të dënuarit e burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, e premtja e 15 Dhjetorit ishte një ditë e zakonshme si gjithë të tjerat. Në orarin e drekës, Indrit Shaqja po gatuante, kur Sokol Mjaca e thërriti dhe i kërkoi që të njoftonte Aben Lleshin që të dilte në dritare…

Si Indriti ashtu sikurse edhe Arbeni nuk e dinin planin e 28-vjeçarit dhe kërkesave të tij duket se iu përgjigjën natyrshëm. Të paktën kështu rezulton edhe në dëshminë që ka dhënë Indrit Shaqja për hetuesit, pas ngjarjes së rëndë ku Sokol Mjaca vrau në ambientet e qelisë Lleshin dhe la të plagosur vetë Shaqjen.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci ka siguruar dosjen, ku zbardhen dëshmitë e të plagosurit, si dhe 12 zyrtarëve të burgut, të cilët janë arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë. Në dosje, Indrit Shaqja rrëfen se si Mjacaj e futi në kurth që t’i nxirrte në pritë objektivin Lleshi.

“Në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes është pyetur viktima Indrit Shaqja, i cili ka shpjeguar se ka qenë duke qëndruar në ambientet e dhomës duke gatuar. Polici i kolonës ka thërritur dhe i ka thënë Indrit të kërkojnë tek zgara e kolonës se sektorit. Ka dalë dhe është afruar se kush më kërkon dhe aty ka parë se ishte shtetasi Sokol Mjaca i cili ka thënë se ‘O Indrit më njofto pak Ben Lleshin të dalë në dritare tek zgara se kam për t’i thënë diçka’, ku është kthyer dhe ka parë në korridor të sektorit Arben Lleshin e ka thërritur me fjalët se të kërkon Sokol Mjaca në dritare për të thënë diçka. Ndërkohë aty është futur tek dhoma e Indrit Shaqes shtetasi Arben Lleshi dhe është afruar tek dritarja dhe Indriti ka qenë duke parë ushqimin që ishte në sobë. Ka dëgjuar fillimisht një krismë si kapsollë dhe aty ka kthyer kokën nga dritarja dhe ka parë se Arben Lleshi po tërhiqej në thellësi të dhomës duke humbur ekuilibrin”.

Shaqja tregon po ashtu se në një moment, Mjacaj ia drejtoi pistoletën edhe një polici të burgut.

“Ka parë nga dritarja Sokol Mjacën me pistoletë në dorë dhe aty është afruar tek dritarja dhe ka nisur të flasë me Sokolin dhe e ka sharë. Ndërkohë Sokoli është larguar në drejtim të daljes për jashtë ajrimit, doli në korridor vetë dhe ndoqi me vrap Sokolin. Kur ka dalë për në ajrim jashtë ka parë se Sokoli i kishte drejtuar pistoletën një polici ndërkohë që polici i ajrimit hapi derën që të dilte në ajrim. E ndoqi nga mbrapa dhe ndërkohë policët tentonin të pengonin Indritin për të mos e ndjekur se nuk e dinte ç’po ndodhte dhe Sokoli i thoshte mos u afro se do të të vrasë dhe ty. Sokoli me pas hyri tek dhoma e takimeve me familjarët e dhomës B”, thuhet në dëshminë e Indrit Shaqjes.