The New York Times, The Washington Post e të tjera media të huaja shkruajnë për protestën studentore. Ja çfarë shkruajnë..

1040
0

“Të mërkurën, qeveria shqiptare u dorëzua para kërkesave të studentëve dhe anuloi tarifën e dyfishtë për provimet e mbartura, por tha se nuk do të ndërmarrë veprime në lidhje me tarifat e studimit pasi ato vendosen nga institucionet individuale, të cilat janë pjesërisht të pavarura.”

Kështu nis artikulli i The New York Times, postuar dje, në lidhje me protestat studentore që po shkundin Shqipërinë. Në vijim, artikulli shkruan se janë bllokuar rrugë kryesore si pasojë e protestave, janë ngritur studentë edhe në qytete të tjera dhe se ndër kërkesat kryesore është përgjysmimi i tarifës së studimit.

Washington Post publikoi të njëjtin artikull realizuar nga Associated Press.

Balkan Insight publikoi një shkrim nga Gjergj Erebara, i cili nxjerr në pah problemet më madhore të arsimit në vend.

“[…] tarifat e studimit janë rritur dhjetëfish gjatë dekadës së fundit.

Edhe universitetet publike janë shndërruar në biznese, duke kërkuar pagesa për shërbime që dikur ofroheshin falas.  Studentët detyrohen të blejnë libra të shtrenjtë, shkruar nga pedagogët e tyre.

Ndryshimi më i fundit i detyron studentët të paguajnë një tarifë të re nëse rijapin një provim për herë të dytë për të përmirësuar notën.”

Në përgjigje të deklaratës së Ramës, që i quajti protestuesit “ngelës,” një studentë tha për BIRN: “Jam ngelëse sepse duhet të punoj 12 orë në ditë që të paguaj tarifën e studimit dhe librat. Të jesh ngelëse është më mirë se të jesh hajdute.”

Independent Balkan News Agency publikoi një artikull nga Edison Kurani, i cili shkruan se “edhe pse Shqipëria s’ka shkollat dhe universitetet më të mira në Europë, studentët në vend paguajnë tarifa më të larta se kudo në kontinent.

Sipas të dhënave nga Eurostat, familjet shqiptare shpenzojnë 3.9% të të ardhurave për arsim, përqindje kjo, tre deri në katër herë më e lartë se Europa.

Së fundi, agjencia kineze e lajmeve Xinhuanet postoi një përmbledhje të protestës studentore dhe kërkesave të saj.