Testi i idiotit, ja pyetjet e shpeshta. Nëse nuk e kaloni, ju hiqet leja e drejtimit

2112
0

Nëse thyen rregullat e qarkullimit rrugor, kjo do të të kushtojë më shumë sesa vetëm pezullimi i patentës. Me propozim të Ministrisë së Brendshme, drejtuesit e automjeteve duhet të kalojnë edhe “testin e idiotit”.

“Shoferët do t’i nënshtrohen një testi për gjendjen e tyre psikologjike të njohur si “testi i idiotit” sa herë që efektivët e policisë do të konstatojnë sjellje të rrezikshme të tyre”.

Ekspertët tregojnë se drejtimi i mjetit tej normave të lejuara apo nën efektin e alk oolit, veç penaliteteve, i shtohet edhe elementi i testimit.

“Për shembull, kur kalon shpejtësinë mbi 20 km/orë pezullohet deri në 3 muaj. Gjatë kësaj kohë, kur plotëson këtë afat duhet të kalosh edhe këtë testin pranë një psikologu i cili duhet të jetë pranë institucionit të policisë ose Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor”, thotë eksperti Artur Sulçe.

Sipas ekspertit, ky test psikologjik do t’ju vinte në ndihmë edhe drejtuesve të përfshirë në aksidente.

“Testi i idiotit” aplikohet në Gjermani dhe në disa vende të tjera të Bashkimit Europian. Ai përmban 50 pyetje të thjeshta që tregojnë nivelin psikologjik të drejtuesit të automjetit. Nëse ky test nuk kalohet prej tyre, hiqet leja e drejtimit.

Testi përmban pyetje të këtij lloji:

Sa ditëlindje kanë njerëzit? Disa muaj kanë 31 ditë, të tjerët 30. Sa muaj kanë 28 ditë? Nëse shkoni në shtrat në 8 të mëngjesit ora juaj e alarmit është e vendosur për t’iu zgjuar në orën 9 të mëngjesit tuaj, sa kohë keni fjetur?

Por përse lind nevoja e këtij testi?

Në Shqipëri të shumtë janë ata shoferë që përmes dritave të gjata kthehen në kërcënim për drejtuesit e tjerë para tyre, të cilëve u kërkojnë në mënyrë presionuese t’u hapin rrugën për të ecur me shpejtësi marramendëse.

Po ashtu parakalime të gabuara, mosrespektim të këmbësorëve në vijat e bardha, e shumë situata të tjera që bëhen burim aksidenti me pasoja fatale.

Vetëm në vitin 2019 ka pasur edhe nga ata shoferë të ndëshkuar me 150 gjoba, që do të thotë se ata nuk kanë reflektuar pavarësisht masave administrative të marra ndaj tyre. Në fund të muajit shkurt pritet të detajohen të gjitha propozimet për ndryshim të Kodit Rrugor.