Terminali i ri i autobusëve të Jugut dhe të Veriut, nga sot tek kthesa e Kamzës

1584
0

Nga sot e tutje terminali i autobusëve të Jugut dhe të Veriut nuk do të jetë më tek zona e njohur si ish-Dogana por do të jetë tek ‘Kthesa e Kamzës’ kjo si pasojë e rinisjes së punimeve tek Unaza e Madhe

Mëngjesin e sotëm të gjithë autobusët e linjave të jugut dhe të veriut janë vendosur në këtë terminal të ri provizor. Terminali i ri ofron më shumë vende qëndrimi për autobusët, ndërkohë Bashkia e Tiranës ka marrë masat për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve brenda qytetit përmes transportit urban. Terminali i ri do të jenë në shërbim të 43 linjave të zonës së jugut dhe 20 linjave të zonës së veriut, duke sjellë kushte më të mira dhe lehtësi në qarkullim.

Pak ditë më parë punimet në terminalin e ri u inspektuan edhe nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili tha se me terminalin e ti do të shmanget edhe kaosi që ndodhte tek ‘Shqiponja’. “Ka një hapësirë më të madhe sesa ish-Dogana, do të sistemojë 63 vend-poste dhe stacione për autobusët e veriut dhe jugut, ndërkohë që juglindja do të vazhdojë të shërbehet nga Qyteti “Studenti” dhe parkingu i madh atje. E jo vetëm kaq, por kemi edhe 4 linja autobusi urban që do kenë një stacion ngjitur me terminalin e autobusëve; pra, linja e ‘City Park’, e Kamzës, linja e Institutit dhe ‘Tirana e Re’, të katërta do të ndalojnë aty, për t’i çuar pasagjerët në drejtimin që duan në Tiranë, duke shmangur edhe kaosin që ndodhte tek ‘Shqiponja’”, u shpreh Veliaj.