Tërmeti i djeshëm “zhduk” fshatin në Turqi, rrafshohet i gjithë vendi, rritet numri i viktimave

131
0

Tërmetet e rëna njëri pas tjetrit mbrëmjen e djeshme në Turqi shkaktuan dëme të mëdha në një zonë të provincës Kahramanmaras.

Fshati Ordekdede i rrethit të Pazarcikut është një nga epiqendrat e tërmeteve. Pothuajse të gjitha shtëpitë njëkatëshe atje u shkatërruan dhe u bënë rrafsh me tokën.

Duke folur për mediat vendase, Kemal Guven, kryetari lokal i Ordekdede tha se para fatkeqësisë kishte 140 familje në fshat dhe pas dy tërmeteve të djeshme ku njëri ishte 6.4 ballë dhe tjetri 5.8 ballë nuk ka mbetur asnjë shtëpi.

Ndërkohë numri i viktimave nga tërmeti i djeshëm vazhdon të rritet. Mësohet se deri më tani rezultojnë 11 persona që kanë humbur jetën, ndërkohë janë qindra të plagosur.

Përveç Turqisë dhe Sirisë, pasgoditjet e reja të fuqishme u ndjenë edhe në Liban, Izrael, Qipro, madje edhe në Egjipt. Thellësia ishte 10 km, nga Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC).

Ndërkohë nga tërmeti i 6 shkurtit të paktën mbi 41 mijë persona mbetën të vdekur, ndërsa mbi 105 mijë të tjerë mbetën të plagosur.