“TËRMET” NË PD/ Deputetët i dalin kundër Bashës pas dështimit në zgjedhjet e 6 Marsit, kryedemokrati sulmohet edhe nga “të besuarit” e tij, priten largime te tjera nga PD

59
0

Zgjedhjet e 6 Marsit kanë qenë katastrofike për Lulzim Bashën, pasi jo vetëm që nuk fitoi asnjë nga 6 bashkitë, por PD e tij doli forcë e tretë në 5 prej tyre, duke u kaluar nga “Shtëpia e Lirisë”, koalicioni që bashkoi Sali Berishën me LSI-në.

Humbja e radhës ka sjellë reagime të forta edhe nga njerëzit më të besuar të Bashës, të cilët i qëndruan pranë pas humbjes në 25 Prillin e kaluar dhe pas përjashtimit të Sali Berishës nga Partia Demokratike. Mesa duket, kjo humbje e thellë ka qenë e tepërt edhe për ata.

I pari që reagoi ishte nënkryetari i PD-së dhe Parlamentit, Agron Gjekmarkaj, i cili tha se PD pësoi një humbje tronditëse dhe kërkoi mbledhjen urgjente të organeve të partisë, në mënyrë që të nxirren përgjegjësit për atë që e quajti katastrofë elektorale.

“Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi. Përtej çdo rrethane kundër nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshem!

PD duhet të mbledhë sonte me urgjencë organet e saj dhe të nxjerre përgjegjësitë që çuan në këtë katastrofë elektorale. Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër Nënkryetarve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj pergjegjësinë time.

Nuk do t’i shmangem asaj per asnjë arsye apo interes që bie në kundershtim me vullnetin e shoqerisë dhe parimet e mia etike”, shkruajti ai në rrjetet sociale.

Pas tij, ishte deputeti Ervin Salianji që teksa futej në selinë e PD-së për të marrë pjesë në mbledhjen e Grupit Parlamentar, tha për mediat se dita e sotme ishte “një ditë e tmerrshme”.

Nënkryetarja tjetër e Partisë Demokratike, Grida Duma, bëri një deklaratë të fortë përpara nisjes së seancës plenare. E Pyetur nga deputetët nëse Basha duhet të japë dorëheqjen, ajo u shpreh se kreu i PD duhet të marrë përgjegjësi dhe vendime politike, teksa shtoi se do të bënte edhe disa kërkesa në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

“Mund të them se rezultati është dëshpërues. Në një mënyrë apo në një tjetër, krejtësisht i papritur. Duhen marrë përgjegjësi dhe vendime politike, padiskutim që nga kreu i PD. Se cilat kërkesa do i bëj tek grupi parlamentar i PD ju do njiheni pas përfundimit të mbledhjes”, u shpreh ajo.

I fundit që hodhi akuza të forta ndaj Bashës ishte deputeti Tomorr Aliuzoti, i cili kërkoi nga kryedemokrati që të japë dorëheqjen në mënyrë të menjëhershme, ndërsa tha se deklarata e Bashës se nuk ka humbur asnjë betejë e kishte shokuar.

“Unë jam i shokuar kur e dëgjova që ai tha unë nuk kam humbur asnjë garë. Po kalojmë në kufirin e çmendurisë, psikozës. PD me logo ka dalë e treta. Partia Demokratike ka qenë parti e cila nga ana politike e rrezikonte mazhorancën, ndërsa sot me këtë rezultat Basha automatikisht duhet të dorëhiqet.

Nëse shikojmë opozitën, PD, shkon diku 30%. Ky është një lajm shumë i keq për ne si demokratë.

Nuk dua të bëhem emocional, por unë nuk kuptoj përse Basha duhet të vazhdojë të rrijë më në parti. Ai duhet të ikë. Demokratët duhet të marrin fatet e tyre, ne po kalojmë në një marrëzi, kjo po shkon në çmenduri, në kulmin e çmendurisë”, u shpreh Alizoti.