Të mposhtësh sëmundjet pa ilaçe, Hetem Ramadani: Të gjithë kemi mundësi të jetojmë 140 vjet

855
0

Nëse duam të dimë se çfarë gjendjeje shëndetësore kemi sot, duhet bërë analiza se çfarë kemi ngrënë dje (në të shkuarën). Nëse duam të parashikojmë shëndetin për të nesërmen, duhet të mendojmë se çfarë do të hamë sot e çfarë regjimi kemi.”

Hetem Ramadani është njeriu që ka bërë kapërcime të mëdha në jetë. Ka shënuar arritje rekord në fushën e biznesit, ka ndryshuar tërësisht stilin e jetës dhe regjimin, ka mundur të vetëshërohet dhe të shërojë, duke përjashtuar çdolloj mjeti të mjekësisë konvencionale, është i pari që ka përcjellë në Shqipëri dhe Kosovë meditimin transhendental, duke sjellë mësuesit më të mirë të meditimit nga shkolla e Maharishit, e duke financuar projektin, ku mijëra shqiptarë e kosovarë, kryen kurse meditimi. Krahas meditimit, i cili prej tri dekadash i është bërë shprehi e përditshmërisë, Hetem Ramadani u përfshi në fushën e studimeve shkencore të mjekësisë. Pas dekadash të tëra studime, mbi libra e kërkime shkencore, ai sot ka arritur në një përfundim, i cili hedh poshtë shumë teori të mjekësisë konvencionale. Sigurisht që zoti Ramadani nuk i mbështet këto dije vetëm mbi fjalë, por edhe në fakte të vërtetuara. Në librin e tij të parë “Shëndeti dhe suksesi nëpërmjet meditimit”, ai sjell prova sesi arriti të shëronte veten pa asnjë lloj ndërhyrjeje dhe trajtimi me ilaçe, pas një aksidenti në ski, ku theu kockën e legenit. Në libër, paraqiten edhe shumë raste të tjera me probleme të rënda shëndetësore, të cilave zoti Ramadani u ka dhënë zgjidhje. Regjimi i jetës së tij bazohet tek ushqimet, aktiviteti fizik dhe meditimi. Ai argumenton se, natyra e ka pajisur trupin tonë me një megafarmaci, të cilën mund ta aktivizojmë nëse zbatojmë regjimin që zbaton ai vetë. Hetem Ramadani, tanimë nuk do që t’i mbështesë vlerat e tij humane mbi arritjet në biznes, por mbi përfundimet që ai sjell në fushën e shëndetit, duke dashur që me këto dije të ndihmojë shumë njerëz, që së pari të ruajnë shëndetin për gjithë jetën, e së dyti të mund të shërohen nëse janë prekur nga sëmundje të rënda.  Zoti Ramadani është diplomuar për kimi dhe teknologji. Më vonë, ka vijuar dy vite studimi në Zagreb për toksikologji-patologji, rrezatim, ndotje akustike, etj. Gjithmonë interesi i tij ka qenë mjekësia, e cila u kthye në një shprehi jete për të, por, teoria e tij është: “Nuk ka rëndësi çfarë kemi mësuar dje, por çka dimë sot”. Kudo që gjendet, ai është i rrethuar nga qindra e qindra libra e punime shkencore në fushën e shëndetit. Ndërsa përgatitemi për të nisur këtë intervistë ekskluzive për revistën Living, ai na zbulon se 2-3 vitet e fundit, dieta e tij bazohet në yndyra. Kaloritë me të cilat ushqehet, përbëhen nga yndyrat në masën 70-80 %. Gjithashtu zoti Ramadani, në mënyrë periodike, çdo muaj, kryen agjërim 4 deri në 7 ditë, pa asnjë ushqim, përveç ujit.

Zoti Ramadani, çdo ditë e më shumë po ndeshemi me teori të ndryshme, të cilat po zëvendësojnë terapitë mjekësore me dieta ushqimore dhe regjime të caktuara. Çfarë mendimi keni për këtë dhe a është e mundur të zëvendësojmë medikamentet me ushqime?

Po, është e mundur. Është e mundur që me ushqime, së pari të mos arrijmë të kemi nevojë për të përdorur medikamente dhe së dyti, po qe se jemi prekur nga sëmundjet, me regjimin që unë ndjek, mund t’i zëvendësojmë këto medikamente. Edhe babai i mjekësisë moderne, Hipokrati, 2500 vite më parë ka thënë: le të përdorim ushqimin si mjet shërimi (Let the food be our medicine. Let’s use this medicine). Nëse e pranojmë këtë paradigmë, atëherë bëhet realitet.

Ju jeni shumë i përqendruar në çështjet e shëndetit dhe prej më shumë se një dekade i jeni përkushtuar studimeve në këtë fushë. Çfarë ju ka nxitur ta shndërroni këtë në lajtmotivin e jetës suaj?

Kjo ka filluar prej problemeve personale. Kur isha student kalova një krizë depresioni dhe pastaj kam qenë shtruar në spital. Në momentin kur kam dëgjuar mjekun të thoshte se jam rasti më i rëndë në kardiologji, kur dola nga spitali fillova të lexoja për shëndetin. Doktori më dha pak muaj jetë dhe diagnoza ishte miokarditis. Në të vërtetë, nuk ishte aspak kështu. Ishte vetëm një depresion. Falënderoj një mikun tim, profesor të mjekësisë, të ndjerin prof. Muharrem Kutllovski, i cili e kishte përjetuar gjendjen time kohë më parë. Ai më tha të ikja nga spitali se nuk ishte ajo zgjidhja. Pastaj fillova me lexu, me lexu, dhe kjo vazhdon edhe sot. Duke studiuar me dekada, kam arritur në përfundimin se të gjitha këto, kanë qenë çështje që mund të zgjidhen pa qenë nevoja të shkojmë në spital. Arsyeja e dytë që më ka nxitur të kërkoja zbulime të reja, është fakti se, kur jetoja në Lubjanë, shumë njerëz vinin nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi për të më kërkuar ndihmë. Ishin pacientë që vuanin nga kanceri apo prej sëmundjeve të ashtuquajtura të pashërueshme, sëmundje zemre etj. Kam këshilluar edhe raste me metastaza. U kam ndërruar këtyre individëve mënyrën sesi të ushqehen, u kam rekomanduar meditimin, u kam dhënë këshilla për aktivitet fizik, e sot shumica e tyre gëzojnë shëndet. Janë nga ato raste kur mjekësia ka ngritur duart, pacientë të cilët i kam përmendur edhe në librin tim të parë, madje edhe me emra.

Cili është ai zbulim juaji që përmbys të gjitha rregullat/teoritë e mjekësisë konvencionale?

Po ju tregoj për një studim. Dr. John Ioannidis nga Qendra Kërkimore e Parandalimit në Universitetin e Stenfordit, ka sfiduar vlefshmërinë e të gjitha regjimeve ushqimore që u ishin servirur njerëzve deri në atë kohë. Në eksperimentet që bëri, ai arriti në përfundimin se të gjitha këto regjime ishin të gabuara. Nisur nga ky fakt, unë sfidova veten dhe kërkova, hulumtova e studiova për të parë nëse kishte një regjim tjetër të vlefshëm dhe nëse njerëzit që do ta përdornin atë, do të mund të ruanin shëndetin ose të shëronin sëmundjet nga të cilat mund të ishin prekur.
Po t’i referohemi Shoqatës së Kardiologëve Amerikanë, e cila rekomandon konsumimin e sa më shumë frutave, drithërave etj., si dhe marrjen e sa më pak yndyrave, unë kam vërtetuar se ky regjim është i gabuar.
Prej tre vitesh, unë kam bërë ndryshime radikale, ku receptura ime (regjimi), ose më mirë të themi, burimi im i energjisë për trupin, për mitokondriat (mitochondria – mikroorganizma që kanë rolin e centralit elektrik, duke krijuar energji për qelizat) janë yndyrat. Sot mendohet se burim energjik për qelizat është glukoza dhe mendohet që trupi e truri nuk funksionojnë pa glukozë, kurse teoritë që unë kam adaptuar sipas studimeve më të reja, tregojnë se shumica e sëmundjeve kronike shkaktohen pikërisht nga përdorimi i karbohidrateve (sheqernave).

Meqë ju keni studiuar e vazhdoni të thelloheni edhe më shumë në këto çështje të problematikave shëndetësore, si paraqitet aktualisht situata e sëmundshmërisë në botë?

Në vitet ’60, Amerika dërgoi dr. Ancel Keys të studionte në Europë dhe botë dietat ushqimore. Kur u kthye, ai arriti në përfundimin se yndyrat e ngopura janë burim i së keqes e sidomos sëmundjeve kardiovaskulare. E gjithë farmaceutika dhe industria ushqimore e shfrytëzoi këtë: farmaceutika duke prodhuar medikamente për të zvogëluar yndyrat, ndërsa industria ushqimore i zëvendësoi yndyrat e dobishme me sheqerna e yndyra të hidrogjenizuara. Kjo bëri që prej viteve ’60, në të gjithë botën, të rriten në mënyrë dramatike sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, sëmundjet tumorale etj. Për shembull, çdo vit, në Amerikë vdesin mbi 600-700 mijë persona nga zemra, por sëmundja që ka pësuar një rritje dramatike sot, është kanceri, i cili prej vitit 2009 është barazuar me sëmundjet e zemrës, e madje i ka tejkaluar ato. Në Amerikë, tani vdesin 1650 vetë në ditë nga sëmundjet tumorale dhe po të flasim pastaj për diabet, 1 në 3-4 persona është paradiabetik ose diabetik. Po t’u referohemi shifrave për autizmin, përsëri në Amerikë, në vitet 1975 incidenca e rasteve ishte një në 5 mijë fëmijë, ndërsa tani, në vitin 2017, të dhënat tregojnë se 1 në 55 fëmijë është i prekur nga autizmi. Lista e sëmundjeve nuk ka të ndalur dhe burimi kryesor i zhvillimit të tyre, është mënyra e të ushqyerit, marrja e medikamenteve, lëndët toksike dhe dieta dixhitale, që do të thotë se ne nuk marrim vetëm ato që fusim në gojë, por edhe çka na vibron qelizat, siç janë valët elektromagnetike (Smart Tv, telefonat celularë, wi.fi etj.). Studimet e fundit, po i klasifikojnë këto valë ndër faktorët e shkaktimit të sëmundjeve si diabeti, kanceri, tumoret, autizmi, problemet metabolike, alzajmeri, parkinsoni, etj.

A gjejnë mbështetje të gjitha këto njohuri që ju keni marrë e që në njëfarë mënyre janë një përmbysje e mjekësisë konvencionale?

Duhet vetëm dije dhe kurajë për të sfiduar mendimet konvencionale. Unë këshillimin me njerëz e kam nisur që para 20 viteve. Me ata që më kanë dëgjuar, kuptohet. Kam bërë edhe unë gabime, sepse atëherë shkenca rekomandonte dieta me sa më pak yndyra. Në fillim të viteve ’80 doli libri “Revolucion në dietë” nga dr. Robert Atkins, me 14 milion kopje të shitura. Ai rekomandonte dieta ushqimore me sa më shumë proteina. Ndërsa mjeku tjetër amerikan, dr. Ornish (një ndër mjekët personalë të ish-presidentit Bill Clinton) propozon regjime ushqimore të dominuara nga karbohidratet. Por, kjo bëri që njerëzit të sëmureshin më shumë nga diabeti e sëmundje të rënda. Unë nuk i kam zbatuar regjimet e këtyre dy mjekëve tre vitet e fundit, por jam bazuar në përvoja të tjera të risive shkencore në mjekësi, kam zbatuar një regjim krejt ndryshe, regjim që tek unë dhe të gjithë ata që e kanë përdorur, në të gjithë botën, ka pasur rezultate pozitive në ruajtjen e shëndetit, por edhe për të larguar sëmundjet që kanë pasur. Regjimi që unë përdor për vete, siç e thashë edhe më lart, është mjekësia e së ardhmes, mjekësia funksionale, e cila përqendrohet në mënyrën se si funksionon trupi, nuk merret me simptomat dhe organet, por me organizmin. Domethënë, jo me pasojat, por me shkakun. Kështu, ne bëjmë të mundur që të plakemi të rinj e të jetojmë shëndetshëm deri në 140 vjet.

Ku i bazoni ju këto teori?

Nuk janë teori, askush nuk e ka një teori. Këto janë punime shkencore, libra. Për shembull, një libër që unë studioj për trurin, zorrën, tiroiden, obezitetin, kancerin, diabetin e kështu me radhë, ka 600 deri në 2000 punime shkencore dhe po t’i marrim krejt librat që kam studiuar vetëm këtë vit, bëhen rreth 150 mijë studime shkencore. Të gjitha këto materiale që unë i kam marrë në qindra e qindra tituj të botuar nga emrat më të mëdhenj të shkencës në mjekësi, njerëzve do t’ua ofroj në një libër të vetëm, të cilin jam duke e punuar. Kushdo që do t’i përmbahet këtij libri, do të mund ta ruajë shëndetin. Nuk kemi nevojë që të na e menaxhojë dikush tjetër shëndetin. Deri tani, është dhënë receptura për trurin, për zemrën, për kockat etj, por ende nuk është dhënë një recepturë që t’i trajtojë të gjitha organet. Sot, në të gjithë botën, nëse shkon te mjeku, pyetja e parë që të bëhet është: Ç’sëmundje kanë pasur prindërit e tu? Historiku familjar i sëmundjeve… Pra, historiku gjenetik. Sipas mjekëve, ato përcaktojnë gjendjen tonë shëndetësore. Kjo teori u vjetrua, në SHBA janë dhënë miliarda dollarë për studime gjenetike, por shkenca e sotme është epigjenetika, e cila merret me studimin e gjeneve, të cilët ndërrojnë sjelljet e tyre nga faktorët e jashtëm, si: ushqimi, aktiviteti fizik, meditimi dhe raportet me të tjerët.

Duke qenë se në botë botohen çdo vit mijëra tituj që rekomandojnë dieta ushqimore, çfarë do ta veçojë librin tuaj nga të gjithë ata?

Libri im, duke ditur problemet e shqiptarëve dhe të njerëzimit, do të sjellë materiale, teori të vërtetuara shkencërisht, që duke i provuar të gjitha në trupin tim dhe të miqve të mi, mund të funksionojnë tek të tjerët. Deri tani është menduar se çdo organizëm, çdo trup është i ndryshëm për shkak të gjeneve. Nuk është ditur burimi i farmacisë së trupit. Është anashkaluar organi kryesor, të cilin deri më sot, mjekësia e ka trajtuar në mënyrë të gabuar: zorra! Por si t’i luftojmë bakteret në këtë organ? Nga padija, shkencëtarët dhe mjekët kanë përdorur ilaçe (antibiotikë) dhe ushqime toksike për t’i mbytur bakteret, ato mikroorganizma që gjenden aty. Në këtë libër do të ketë një kapitull të veçantë, që do të trajtojë ku është farmacia, ku është endokrinologjia e trupit të njeriut dhe cili është truri i vërtetë. Deri tani kemi menduar se kemi një tru dhe ai është në kokën tonë, por prej shkencëtarëve po del që kemi edhe një tru të dytë, i cili është në zorrën tonë, ku jetojnë 100 trilion baktere dhe 10 herë më shumë mikroorganizma të tjera. Kurse trupi ynë, ka 10 trilion qeliza. Nga ky raport shihet se ne si qenie, jemi 10 % njerëzorë dhe 90 % baktere. Këto baktere krijojnë farmacinë tonë. Në shkencën e vjetër është menduar se serotonina, neurotransmetuesi që na bën të lumtur e të ndihemi të përmbushur, krijohet në tru. Tani, është vërtetuar se serotonina krijohet 95 % në zorrë, 1 % në tru dhe 4 % në pjesë të tjera. Pra, në thelb, po ta mirëmbajmë këtë organ, ai do të na mirëmbajnë neve. Në këtë libër fokusi do të jetë jo si të ushqejmë zemrën apo mëlçinë, por si t’i ushqejmë bakteret. Nëse ato ushqehen e mirëmbahen në mënyrë që të ruhet numri dhe varieteti i tyre, ato na mirëmbajnë e na sigurojnë një shëndet të plotë. Nëse ky organ (zorra) inflamohet, inflamacioni është burim i të gjitha sëmundjeve, sepse numri i neuroneve që gjenden në zorrë është i njëjtë me numrin e neuroneve që gjenden në tru dhe komunikojnë direkt me trurin. Kjo do të thotë që inflamacioni i zorrës është inflamacion i të gjithë trupit dhe për rrjedhojë, shkak i të gjitha sëmundjeve.

Kush i ushqen këto baktere dhe cilat janë ushqimet që i dëmtojnë ato?

Ato ushqehen nga karbohidratet që nuk treten, që kanë fibra dhe kalojnë në këtë gyp që quhet zorrë dhe atëherë bakteret bëjnë fermentimin dhe ushqehen me to. Kemi dy lloj karbohidratesh: të mira dhe të dëmshme. Karbohidratet që vijnë nga zarzavatet, spinaqi, perimet, turshitë, nga karota dhe frutat (por sasia e frutave për shkak të fruktozës dhe glukozës nuk është mirë të përdoret shumë dhe ky është ndërrim në recepturën time) janë të mira. Ndërsa karbohidratet e dëmshme janë: ato që merren nga të gjitha drithërat, mielli, buka, misri, bishtajoret, etj., të cilat kanë glukozë ose sheqerna të tjera, që janë burim i qelizave kancerogjene. Pastaj, buka e drithërat kanë problem glutenin, që është një proteinë toksike, e cila dëmton zorrën. Zbulimet e reja tregojnë se një proteinë edhe më toksike, e cila nuk është ditur më parë, është “llectin”, e cila gjendet te buka, produktet e qumështit, produktet e mishit, etj. Këto dy proteina toksike, së bashku me herbicidet dhe pesticidet (lëndë kimike që përdoren në bujqësi. Kjo do të thotë se edhe botës bimore i janë shkatërruar bakteret e dobishme) shkatërrojnë bakteret e mira në zorrë. Kjo është një ushtri e tërë me qindra trilionë mikroorganizma, që determinojnë sjelljen e gjeneve tona. Njerëzit kanë 20-25 mijë gjene, kurse bakteret kanë 20 milion gjene dhe sjellja e këtyre gjeneve, përcakton sjelljen dhe shprehitë e gjeneve njerëzore. Pra, sjellja e gjeneve, varet nga bakteret që kemi në trup. Gjenet kanë tre mundësi: të jenë të mira, të këqija dhe shumë të mira. Nëse e marrim si metaforë pianon dhe konsiderojmë se gjenet janë 25 mijë nota, atëherë varet se kush luan me to: a luhet muzikë klasike, pop apo xhaz. Këtë muzikë e luajnë pikërisht këto baktere. Bazuar mbi këtë zbulim hidhet poshtë edhe teoria e kancerit, që 100 vitet e fundit mendohej që ishte një sëmundje gjenetike. Zbulimet e reja dëshmojnë se në 95 për qind të tij, kanceri është problem metabolik. Kur themi është problem metabolik, çështja lidhet menjëherë me çfarë ushqehemi, me aktivitetin fizik që bëjmë, mendimin, meditimin. Me të gjitha këto, që përbëjnë regjimin tonë ose jo, ne përcaktojmë shprehitë e gjeneve. Ne nuk i ndërrojmë gjenet. Nëse i kemi trashëguar gjenet e këqija që kanë predispozitë për kancer apo diabet, mund t’i lëmë të fjetura. Njësoj sikur ke rrymë apo nuk ke rrymë, kjo varet a e prek atë butonin tek çelësi atje apo jo.

Kështu, me regjimin tuaj, ju na jepni mundësi që të ruajmë shëndetin e të mos sëmuremi për gjithë jetën. Nga biseda paraprake, kam kuptuar se ju keni një koncept krejt ndryshe për yndyrat dhe parametrin LDL, që nga mjekësia konsiderohet si kolesteroli i keq e që pretendohet se është shkaktari kryesor i sëmundjeve të zemrës. Mund të na flisni pak më gjerë për këtë?

Po kthehemi përsëri te babai i mjekësisë moderne, Hipokrati. 460 vjet p.e.s., ai ka thënë se të gjitha sëmundjet fillojnë në zorrë. Megjithatë, shkenca e anashkaloi këtë fakt, ndoshta për shkak të mosdijes apo për shkak të interesave të industrisë farmaceutike. Farmacia merret në nivelin molekular të sëmundjes, por pa shkuar më tej. Për shembull, po t’u referohemi terapive të viteve ’60 e deri sot, yndyrat dhe kolesterolin i konsiderojnë si shkakun e sëmundjeve të zemrës. Po të shkosh te mjeku, këtu e në të gjithë botën, të gjithë thonë “mat kolesterolin”. Nëse kolesteroli del i lartë, mjekët japin terapi për uljen e LDL-së, të ashtuquajtur si kolesterol i keq, duke menduar se ky është problemi kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare. Por, tani, shkenca e re, e mbështetur nga shumë kardiologë të famshëm, e hedh poshtë këtë teori.
Zbulimet e reja tregojnë se nëse ulet kolesteroli, duke rënë në nivelin 60-70 që rekomandohet, mundësitë për t’u sëmurur nga kanceri rriten me 15 herë. Por cili është burimi i tyre? Janë karbohidratet e këqija, sheqernat, yndyrat e hidrogjenizuara. Struktura e LDL-së përbëhet nga grimca të mëdha, të cilat na mbrojnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe nga grimcat e vogla, të cilat shkaktojnë sëmundjet kardiovaskulare. Përsëri, burimi i këtyre grimcave të vogla të LDL-së janë karbohidratet që përmendëm më lart. Kur në analizat e gjakut kolesteroli del i lartë, mjeku rekomandon marrjen e një medikamenti që quhet statin. Statini, i cili ndikon në uljen e LDL-së, është medikamenti më i shitur në botë, e njëkohësisht më i rrezikshmi. Ai shkakton diabetin e tipit 2, impotencë, depresion deri në vetëvrasje dhe sëmundje të ndryshme degjenerative. Ka vetëm një efekt pozitiv, që ul inflamacionin. Prandaj sot, kardiologët më të famshëm në botë, nuk rekomandojnë më uljen e kolesterolit me statin. Parametrat që duhen matur e marrë për bazë janë: inflamacioni, që është CRP; trigliceridet, që janë yndyrat në enët e gjakut dhe raporti trigliceride/HDL.

Rikthehemi përsëri te libri juaj. Do të ofroni aty një regjim/terapi shërimi për të sëmurët me kancer, për të cilët ju referuat më sipër se është rritur shumë numri i rasteve, në botë edhe në Shqipëri?

Ky libër do të jetë jo vetëm për të sëmurët me kancer, por për të gjitha sëmundjet. Unë do të paraqes zgjidhje që me anë të ushqimit, detoksikimit, të mos sëmuremi fare. Pra, kështu ata ndihmohen që të heqin shkakun, jo simptomën. Kimia nuk është zgjidhje për kancerin, as rrezatimi, as kimioterapia, e cila është edhe ajo burim i tumoreve. Një studim i vitit 1994, i cili vlerësoi rezultatet e pacientëve në 12 vite, arriti në përfundimin se në 97 % të rasteve, kimioterapia ishte e dështuar. Pra, duke kuptuar në këtë libër që kanceri nuk është problem gjenetik, por 95 % është metabolik, atëherë e kemi zgjidhjen. Mjekësia sot, siç e thashë më lart, duhet të përqendrohet tek inflamacioni i trupit. Sipas shkencëtarëve, çdo njeri mbi moshën 35-vjeçare do ta kalojë një herë kancerin gjatë jetës së vet. Në Amerikë, 1 në 2 persona parashikohet të vdesë nga kanceri. Edhe në Kosovë e Shqipëri, situata e të sëmurëve me kancer është përkeqësuar. Në Kosovë, rritja e kancerit të gjirit është shtuar me 30 %. Nëse mbetemi te zgjidhja që kanceri është gjenetik dhe zgjidhja është farmacia, atëherë kemi dështuar. Duhet të gjejmë zgjidhje të reja, të cilat do t’i sqaroj gjerësisht në libër. Me këto zgjidhje që propozoj, kam arritur që pacientë me diabet të tipit 2, të sëmurë prej 10 vitesh, t’i shëroj 100 %, pa asnjë lloj medikamenti (pa insulinë) për 3 deri 4 javë. Më besoni që insulina është më e dëmshme se vetë rritja e sheqerit.
Javët e fundit, në Tiranë, kam trajtuar një vajzë 30-vjeçare. Ajo ishte diagnostikuar te mjeku me një gjëndër problematike në gji. Gjasat ishin për një kist të inflamuar. Mjekja i dha një përshkrim me antibiotik (kur thua antibiotik ke thënë antijetë) dhe një trajtim me ilaçe për një muaj. Më pas do të shihej ecuria e gjëndrës (ose tumorit në gji, sepse çdo rritje në latinisht është tumor). Pra, mjekja i rekomandoi antibiotikun për të mbytur qelizat e inflamuara dhe më pas i tha “do të shohim e do të vendosim për terapinë që do të ndjekim në rastin tënd”. Por, vajza zgjodhi të ndiqte regjimin tim dhe jo të merrte antibiotikun dhe për 7 ditë, gjëndra u zhduk. Kur shkoi për të bërë kontrollin dhe ekografinë pas një muaji, gjëndra nuk ishte më. Vajza nuk i tregoi mjekes se nuk i kishte marrë ilaçet që ajo i përshkroi, ndërkohë që mjekja e entuziazmuar i tha: antibiotiku që të dhashë vepron shumë mirë në këto raste. E vërteta ishte se ajo nuk kishte marrë asgjë, përveç regjimit ushqimor që unë i vendosa. Ky është një rast. Unë po ju jap të dhënat e saj dhe ekografitë, që ju të mund ta vërtetoni vetë rastin, pa ia publikuar emrin.

Me të gjitha këto teori, e përsëris, ju shkoni kundër mjekësisë konvencionale dhe madje për këtë z. Vasil Naçi, biznesmeni i njohur ju përmendi në seminarin “Rruga drejt suksesit”, mbajtur pak javë më parë në Tiranë. Ai tha se ju keni patur një diskutim shumë interesant me mjekë të huaj gjatë një darke, në lidhje me ndërrimin e qelizave në trup.

Së pari, unë e përgëzoj Vasilin për atë çka bën për të tjerët, që dijen dhe eksperiencën që ka, ua jep edhe të tjerëve, siç bëri dhe në seminarin e fundit.
Por ju më së miri e dëgjuat vetë atë çfarë tha ai. Nuk dua të tregoj shumë për mjekët, por ishin dy profesorë të mjekësisë, njëri nga Amerika dhe me emër, e tjetri shqiptar. Në një darkë të gjatë, po flisnim për mjekësinë. Vasili pyeti: “A është e vërtetë që qelizat e trupit të njeriut ndërrohen?” Në fakt, ka teori të ndryshme për këtë, sepse varet cilës pjese të trupit i referohemi. Po të marrim rastin e kockave, qelizat e tyre ripërtërihen më ngadalë. Le të themi se kjo ndodh për një vit. Pyetja që unë u bëra mjekëve ishte: “Po pse sëmundja nuk po kalon?” Ata heshtën. Pas një pauze të gjatë, mjeku amerikan më tha: “Unë e di që ti e di përgjigjen”. Pastaj, Vasili më pyeti privatisht: “Cila është përgjigja, sipas teje?” Unë i thashë “se ai që krijon qelizën nuk ka ndryshuar”. Në libër, unë do të kem një kapitull të tërë që trajton çështje, si: “Kush na krijon ne? Nga kemi ardhur? Kush e formoi bakterin, qelizën etj?” Pra, ne, para se të jemi, kemi qenë mundësi. Edhe qeliza, edhe atomi, edhe mendimi, para se të krijohen, janë mundësi. Stimulimi i këtyre ndodh në shkallën e vetëdijes së lartë transhendentale, ku çdo gjë është në nivelin vibrues. Edhe ajo që quhet materie, edhe ajo që quhet mendje, edhe ajo që quhet qelizë, para se të ndodhë është vibrim. Edhe këto vibrime në esencë në shkallën 10-(minus) të 33-at janë asgjë, janë inteligjencë. Edhe shëndeti është në atë shkallë. Në thelb, kjo inteligjencë që në fe e quajnë Zot dhe në shkencë fusha unike, është vendi ku gjithçka është e mundur. Të gjitha forcat e universit, siç është forca e gravitetit, forcat që mbajnë atomin, forcat elektromagnetike… të gjitha këto krijojnë një fushë, përtej së cilës mjekët nuk shkojnë dot. Unë e kam sqaruar këtë në librin tim të parë ku shpjegoj se si e shërova kockën time të thyer të legenit, pa operacion. Për mjekët kjo është fizikë mekanike, për mua është fizikë kuantike.

Ka shumë njerëz që ju kontaktojnë e ju kërkojnë t’i ndihmoni?

Këtë e kam në qendër të misionit tim. Arsyeja pse punoj me orë të tëra çdo ditë është se dua t’i ndihmoj të tjerët e përveç kësaj, në thelb, kur ndihmon dikë, kur jep, krijon serotoninë, neurotransmetues, i cili të bën të lumtur e të plotësuar. Pyetja kryesore e njerëzimit është: Çka dëshiron njeriu më së shumti? Në bazë të një analize shumëvjeçare, nga Amerika në Slloveni, përgjigja ishte: të jemi të lumtur. Pra, nëse arrin këtë gjendje, i ke të gjitha ELONA JAÇELLARI/FOTGRAFIA ARMAND HABAZAJ