Skip to content

Të mos e çosh punën dëm. Mësimi që i dha një biznesmen djalit të tij dembel. Çdo prind duhet ta bëjë

    Një biznesmen kishte një djalë dembel, të cilit i pëlqenin vetëm dëfrimet.

    Biznesmeni donte që i biri të ishte punëtor dhe i përgjegjshëm si i jati. Ai donte që djali i tij të kuptonte vlerën e punës.

    Një ditë, thirri të birin dhe i tha: “Sot dua të dalësh dhe të fitosh diçka. Nëse dështon, nuk ke darkë”.

    Djali ishte dembel dhe nuk ishte mësuar me asnjë lloj pune. Kjo kërkesë e babait e trembi shumë dhe duke qarë, shkoi drejt e tek e ëma. Nënës iu shkri zemra, kur pa lotë në sytë e të birit.

    Në një përpjekje për ta ndihmuar të birin, ajo i dha një monedhë floriri.

    Në mbrëmje, kur i ati e pyeti të birin se çfarë kishte fituar, djali i dha menjëherë monedhën e floririt. Babai i tha më pas ta hidhte në një pus. Djali bëri siç i kërkoi babai.

    Babai ishte burrë i mençur dhe me eksperiencë, dhe e kuptoi që nëna kish qenë burimi i monedhës së floririt. Ditën tjetër, e dërgoi të shoqen tek prindërit e saj, dhe i kërkoi sërish djalit të dilte dhe të fitonte diçka, nëse donte që të hante atë mbrëmje.

    Këtë herë, djali shkoi duke qarë tek e motra, të cilës i erdhi keq për të dhe i dha një monedhë nga kursimet e veta.

    Kur babai e pyeti se çfarë kishte fituar, djali i hodhi monedhën që i kish dhënë e motra. Babai i kërkoi ta hedhë edhe atë në pus. Djali e bëri menjëherë.

    Sërish, babai i mençur e kuptoi se djali nuk e kish fituar vetë monedhën, por që ja kishte dhënë e motra. Kështu që, dërgoi të bijën tek shtëpia e gjyshërve. Të birit i kërkoi sërish të dilte dhe të fitonte diçka, përndryshe nuk kishte darkë për të.

    Këtë herë, duke qenë se nuk kish më se kush ta ndihmonte, djali u detyrua të dalë në treg për punë e të fitonte ndonjë monedhë. Një prej dyqanxhinjve i tha se do i jepte dy monedha, nëse i merrte valixhen deri tek shtëpia.

    Djali i të pasurit nuk mund të refuzonte, dhe u bë ujë në djersë deri kur e mbaroi atë punë. Këmbët i dridheshin dhe qafa e shpin i dhimbnin.

    Teksa u kthye në shtëpi dhe i dha dy monedhat babait, ndërsa ky i kërkoi t’i hidhte në pus, djali i tmerruar pothuajse qau me të madhe.

    Nuk mund të imagjinonte që të hidhte në pus, paratë e fituara me djersë. Mes lotëve, tha: “Baba, më dhemb i gjithë trupi, kam shenja në shpinë, dhe ti po më kërkon të hedh paratë e fituara me djersë në pus”.

    Biznesmeni buzëqeshi. I tha të birit se njeriu e ndien dhimbjen, vetëm atëherë kur frutet e punës së tij shkojnë dëm.

    Në dy rastet e mëparshme, atë e kish ndihmuar mamaja dhe motra, kështu që nuk ju dhimbsën monedhat kur i hodhi në pus.

    Djali sapo kish mësuar vlerën e punës.