Pasi kaluan festat e fundvitit pranë familjareve të tyre, emigrantët kanë nisur gradualisht kthimin drejt vendeve të tyre të punës. Në pikën kufitare të Kakavijës gjatë orëve të fundit kanë udhëtuar drejt Greqisë rreth 230 persona. Emigrantët kanë qenë të pajisur me testin anticovid, ndërsa do qëndrojnë për shtatë ditë në karantinë.
“Ishim për festa. Po i kemi bërë gati të gjitha.”
“Mirë, qetësi. Rehat. Por ishte ton i ulët nuk ishte si vjet dhe parvjet. Gjëra normale.”
“Mirë kaluam. Tani të shohim këtej matanë. Me të Greqisë pa rregulla s’mund të vijmë këtej.”
“Nga Dibra. I kemi bo të gjitha. Se s’kemi ca bojmë.”
Ndërkohë në pikën kufitare të Qafë Thanës, numri i udhëtarëve në dalje ka qenë më i madh, kjo për shkak edhe të mbylljes së doganës së Kapshticës. Sipas burimeve, nga kjo pikë gjatë orëve të fundit kanë dalë mbi 2000 shtetas.
Me ritme normale vazhdon dhe kthimi i emigrantëve nga porti i Durrësit. Afro 1200 pasagjerë udhëtuan drejt Italisë me dy tragetet e linjës së Barit. Mes udhëtarëve ka pasur dhe shtetas nga Kosova e Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë të gjithë emigrantët, pas kthimit në Itali do futen në karantinë për 14 ditë.