Shqiptarët në Amerikë sapo kanë nisur drejt Shqipërisë peticionin ndaj qeverisë

1214
0

Për shpërfilljen e qeverisë shqiptare ndaj kërkesave për bashkëpunim me diasporën, shqiptarët ane mbanë botës i përgjigjen me një peticion konkret. Janë 25 anëtarë të Diasporës Shqiptare, kryesuar prej Mark Kosmos nga Bostoni që kanë marrë nismën e hartimit dhe shpërndarjes së një peticioni drejtuar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe ministrit Pandei Majko. Objekte të këtij peticioni janë vërejtjet mbi Samitin e Dytë të Diasporës, i mbajtur nga data 28 shkurt deri më 2 mars 2019 në Tiranë; punën e qeverisë në angazhimin e diasporës shqiptare, si dhe në fund jepen rekomandimet për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me Diasporën.

Në brendësi të peticionit janë renditur edhe 5 rekomandimet që Diaspora i parashtron qeverisë shqiptare për të ardhmen.

Ministri i Shtetit për Diasporën t’u përgjigjet me shkrim letrave dhe kërkesave të dërguara nëpërmjet postës elektronike nga përfaqësues të ndryshëm të diasporës, dhe mos t’i injorojë përgjithësisht ato siç ka bërë deri tani.

Çdo Samit i ardhshëm i diasporës duhet të jetë mbarëshqiptar dhe duhet të organizohet nga Bashkësia Shqiptare Globale me mbështetjen e qeverive të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi.
Një grup pune prej 15-20 personash, të zgjedhet nga organizatat udhëheqëse të diasporës së bashku me Ministrinë e Shtetit për Diasporën, Agjensinë Kombëtare të Diasporës dhe Ministrinë për Diasporën në Kosovë.

Ky grup pune të përbëhet nga udhëheqës dhe ekspertë të diasporës për të punuar së bashku me institucionet qeveritare sipas kushteve të paracaktuara për të garantuar përfshirjen e mendimeve të diasporës në politikat e qeverisë.
Ky grup pune duhet të ketë një përbërje të barabartë midis përfaqësuesve të qeverisë dhe diasporës dhe të përfshijë përfaqësues të qeverive të Kosovës, Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi të angazhuar në çështjet e diasporës.

Çështjet kryesore që rekomandojmë të trajtohen, përfshijnë: (i) Të drejtën e votimit për diasporën; (ii) Zhvillimin e rrjeteve të ndryshme profesionale për të lidhur diasporën shqiptare me Shqipërinë, Kosovën dhe vendet e tjera në rajon; (iii) Zhvillimin e një politike të qartë për nxitjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Deri më sot, qeveria shqiptare nuk është përpjekur zyrtarisht të marrë mendimin e diasporës rreth zbatimit apo rishikimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën dhe Planin e Veprimit. Ne rekomandojmë që konsultimet me grupin e punës dhe mbledhjet me diasporën të bëhen pjesë e pandashme e zbatimit dhe strategjisë. Në të ardhmen ne duhet të kemi vetëm një strategji të përbashkët për të gjitha vendet e rajonit për të pasqyruar faktin se ne jemi një diasporë shqiptare, dhe të krijohen institucione të përbashkëta për të arritur këtë qëllim, sipas nevojës.
Këshilli Koordinues i Diasporës, siç është propozuar aktualisht në legjislacionin shqiptar, është vetëm për Shqipërinë dhe duhet të rishikohet. Ne rekomandojmë krijimin e një Këshilli Global të Diasporës mbarëshqiptare.