Skip to content

Të ftohtë ekstrem në mesjavë, më pas kthesë e fortë me ngrohje dhe reshje shiu

    Orët në vijim do të karakterizohen nga kthjellime dhe vranësira të lehta e kalimtare, pa reshje në territor. Mëngjesi i sotëm ka shënuar minimumet, ndërsa temperaturat maksimale pritet të ngjiten deri në 14°C.

    Nga dita e nesërme vranësirat shtohen gradualisht në të gjithë vendin. Temperaturat e mëngjesit mbeten thuajse të pandryshuara, ndërsa në mesditë shënohet një rënie e lehtë me rreth 1°C për shkak të vranësirave të dendura. Priten reshje të pakta shiu në zonat e ulëta dhe bregdetare, ndërsa në zonat malore reshje dëbore. Reshjet do të jenë lokale, kryesisht në jug dhe në gjysmën lindore të Shqipërisë.

    Dita e mërkurë sjell përkeqësim të ndjeshëm të kushteve termike. Temperaturat e mëngjesit pësojnë rënie të fortë, me minimume deri në -8°C në zonat e thella të verilindjes dhe rreth -6°C në zonat malore juglindore. Edhe mesdita do të jetë shumë e ftohtë, me maksimume që mezi ngjiten në 8°C në rang territori. Në zonat malore priten reshje dëbore të theksuara, ndërsa në zonat perëndimore reshje të pakta shiu, kryesisht pasdite dhe gjatë natës.

    Të enjten moti paraqitet me kthjellime dhe vranësira kalimtare, por mëngjesi do të jetë edhe më i ftohtë, sidomos në jug dhe juglindje, ku temperaturat zbresin deri në -8°C apo -9°C. Veriu mbetet shumë i ftohtë, ndërsa mesdita sjell një rritje të lehtë të temperaturave.

    Nga e premtja nis një kthesë e fortë e motit. Temperaturat e mëngjesit rriten me të paktën 4 gradë, ndërsa fundjava dhe ditët në vijim sjellin vlera shumë të larta dhe atipike për dimrin dhe për muajin janar. Maksimumet e së shtunës pritet të arrijnë deri në 18°C.

    Megjithatë, ngrohja shoqërohet me rikthim të reshjeve. Që nga e premtja, datë 2 janar, reshjet rikthehen dhe vijojnë për disa ditë me radhë, kryesisht në formë shiu, për shkak të temperaturave të larta pas një periudhe të shkurtër, por shumë të acartë.