Të ARDHURAT nga emigrantët në nivelin më të LARTË në 11 vjet, kryesojne Italia dhe Greqia

404
0

Paratë që emigrantët dërgojnë tek të afërmit e tyre në Shqipëri (remitancat) arritën në 169 milionë euro në tremujorin e parë të vitit, duke arritur në nivelin më të lartë që nga viti 2010, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur sapo kishin filluar të ndiheshin pasojat e krizës pandemike, remitancat u rritën me 11.2%. edhe në raport me janar-mars 2019, zgjerimi është pothuajse në të njëjtat nivele (+12.5%).

Aktorët e tregut pohojnë se një faktor që ka ndikuar lidhet me faktin që si rrjedhojë e shpenzimeve të rritura të familjeve për të përballuar pasojat që dha në shëndet Covid-19, fëmijët nga jashtë kanë dërguar më tepër mbështetje se zakonisht.

Një tjetër dukuri e konstatuar pas pandemisë është rritja e kanaleve informale, pasi mbyllja e kufijve ka ndikuar në orientimin drejt operatorëve zyrtarë.

Që prej vitit 2014, remitancat kishin nisur sërish trendin rritës, duke reflektuar valën e re të emigracionit. Ato u prekën lehtë në 2020-n nga kriza e shkaktuar nga pandemia, sidomos në tremujorin e dytë kur Europa hyri në karantinë, por arritën të rimëkëmben shpejt, me hapjen graduale të ekonomive.

Në vitin pandemik 2020, të ardhurat nga emigrantët në vitin 2020 ishin 673 milionë euro, me një tkurrje të lehtë prej 4%. Kjo rënie erdhi si rrjedhojë e reduktimit të fortë të prurje në tremujorin e dytë të karantinës (-35% me bazë vjetore). Por në periudhën në vijim, rritja ka qenë e fortë, përkatësisht 6.5% në të tretin dhe 11.5% në të katërtin, duke kompensuar pothuajse tërësisht rënien në periudhën e bllokimit.

Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten kanalet kryesore të dërgimit të parave në vend, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje. Por, vitet e fundit, po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos Gjermania. Aktorët e tregut pohojnë se Gjermania, për vetë faktin që është në tipologjinë e një vendi me emigracion të ri, gjatë viteve të fundit ka qenë në një rritje konstante.

Trendi i remitancave ka ndjekur në tri dekadat e fundit një tendencë ciklike, duke kulmuar në vitin 2008 dhe më pas filloi rënia, teksa me kalimin e më shumë se një dekade, emigrantët filluan të shkëpusin lidhjet me vendin mëmë, të krijonin familjet e tyre dhe të dërgonin më pak para.

Por vitet e fundit, vendi po përjeton një valë të re emigracioni, që solli sërish një rritje të remitancave, që pas vitit 2013./Monitor.