Tarifat e reja të patentave, zbardhet marrëveshja: Rritje 2 deri në 3 fish, ja sa do te paguajmë për patentat e reja..

71
0

Eshte zbardhur marrëveshja mes Shoqatave të Autoshkollave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Transportit Rrugor për rritjen e çmimeve të patentave. Në varësi të kategorive, shtrenjtimi do të jetë me dy deri në tre herë nga muaji prill. Me çmimet e reja, Shqipëria futet te vendet me çmimin më të lartë të marrjes së lejes së drejtimit në raport me pagat.

Nga muaji prill, marrja e patentës, në varësi të kategorisë do të kushtojë nga dy deri në tre herë më shtrenjtë. Nëse sot për të marr lejen më të zakonshme të drejtimit, atë të klasit “B” një kursant duhet të paguajë rreth 45.000 lekë pa përfshirë kartonin apo dokumentet e tjera shëndetësore, kostoja do të rritet në 85.000 lekë.

Sipas marrëveshjes mes Shoqatave të Autoshkollave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Transportit Rrugor që A2 ka zbardhur, çmimet e reja do të justifikohen me mirë-përgatitjen e drejtuesve të rinj duke rritur orët e teorisë dhe praktikës në autoshkolla.

“Do ndodhë që do zhvillohet përgatitja teorike dhe praktike në bazë të nenit 121 të Kodit Rrugor në Republikën e Shqipërisë i cili konsiston në 36 orë teori dhe 34 seanca praktikë për klasin B”, u shpreh Tonin Gjinaj nga Shoqata e Autoshkollave.

Marrja e një patente në kategorinë A1 do të kushtojë 45 mijë lekë, ajo A2 55 mijë, ndërsa klasi B1 rritet në 55 mijë lekë. Marrja e një leje drejtimi në kategorinë C e cila lejon drejtimin e automjteve me kapacitet 8+1 do të kushtojë 95.000 lekë, klasi D bëhet 125 mijë lekë, ndërsa për fitimin e pikëve të humbura kosto do të jetë 32 mijë lekë.  

“Ne jemi në mesataren e Rajonit. Nuk mund të bëjmë turizëm patentash. Nëse Maqedonia e Veriut e ka 700 euro, edhe ne drejt asaj po shkojmë. Greqia dhe Italia gjithashtu”, tha Tonin Gjinaj.

Në fakt, me çmimin e ri prej 85 mijë lekësh, apo 740 eurosh, Shqipëria ka një çmim dyfish më të lartë se Kosova, ku kursi kushton 300 euro. Por kostoja e patentës të klasit B, është shumë e lartë krahasuar me pagat, nëse krahasohemi me vende si Italia, Franca apo Gjermania, ku kursi, dokumentacioni dhe tarifat totale variojnë nga 1400 deri në 3000 euro. Ndërkohë sipas marrëveshjes së arritur, pagesa ndaj autoshkollave nuk do të kryhet më në dorë, por me anë të bankave.