Shqipëria po kalon një ditë më të qetë krahasuar me ditët e fundit, megjithëse reshjet e dobëta të shiut vijojnë të jenë të pranishme në pjesën më të madhe të territorit. Situata është më e lehtë, por moti mbetet i paqëndrueshëm dhe surprizat nuk kanë mbaruar.
Sipas parashikimit, sonte në mbrëmje pritet një tjetër intensifikim i reshjeve. Pas mesnatës, rrebeshe të shkurtra do të rikthehen si në skajin verior, ashtu edhe në jug të vendit, ndërsa qendra dhe zonat e tjera do të kenë reshje më të pakta.

E premtja nis me rrebeshe të shpeshta në veri dhe jug, ndërsa qendra mbetet me reshje më të rralla. Në mesditë situata qetësohet, por vetëm përkohësisht, pasi mbrëmja dhe nata e së premtes sjellin sërish një përkeqësim të motit. E shtuna rikthen fuqizimin e vranësirave dhe reshjeve në të gjithë vendin, me intensitet më të lartë në veri dhe juglindje.
Gjysma e dytë e së shtunës, e diela dhe dita e hënë sjellin një qetësim të ndjeshëm. Reshjet do të jenë të pakta ose pothuajse të papërfillshme, me vetëm momente të izoluara shiu në disa zona. Mirëpo qetësia nuk zgjat shumë: e marta rikthen reshjet dhe rrebeshet në të gjithë territorin, në nivele të krahasueshme me ato që priten sonte dhe në orët e para të së shtunës.
Temperaturat pësojnë luhatje të ndjeshme. Të premten në mëngjes bie pak freskët, ndërsa maksimumet mbeten rreth 20°C në jug. E shtuna sjell rënie të dukshme, me temperaturat që zbresin deri në 3°C në mëngjes dhe deri në 5°C më pak në mesditë në disa zona të veriut dhe verilindjes. Të dielën, në zonat malore temperaturat prekin 0°C në mëngjes, ndërsa mesdita nuk shkon më shumë se 12–13°C.
E hëna nis me temperatura negative në zonat e thella malore, deri në -2°C, por kthjellimet e mesditës sjellin një rritje të lehtë. Të martën, me rikthimin e masave të ngrohta dhe shumë të lagështa nga jugu, rrebeshet përfshijnë sërish gjithë vendin.
Moti mbetet i paqëndrueshëm edhe gjatë ditëve të ardhshme, me alternime reshjesh, kthjellimesh dhe rënie të theksuar temperaturash.