Tensionet mes komunitetit shqiptar dhe atij italian janë ndezur sërish pas një ngjarjeje të re në qytetin Foria të Centola-s, ku një grup shqiptarësh dyshohet se kanë sulmuar banesën e Aurelio Valiante, italianit 58-vjeçar që pak ditë më parë vrau me armë zjarri 25-vjeçarin shqiptar Rivaldo Rusi gjatë një tentative për grabitje.
Sipas mediave italiane, autorët kanë vepruar natën, duke u afruar në mënyrë të kujdesshme në shtëpinë e Valiante dhe duke thyer një ballkon për të parë nëse ai ndodhej ende brenda. Ata nuk kanë tentuar të vjedhin apo të sulmojnë fizikisht, por kanë lënë pas gjurmë të dukshme dëmtimi, që po konsiderohen si një mesazh i qartë hakmarrjeje.
Ngjarja ndodhi pasi Aurelio Valiante dhe familja e tij ishin zhvendosur në një vend të sigurt nga autoritetet italiane, për shkak të frikës nga ndonjë akt hakmarrës pas vrasjes së të riut shqiptar. Që nga dita e ngjarjes, rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe kërcënuese dhe thirrje për hakmarrje nga përdorues shqiptarë, ku më e përhapura është shprehja “Gjakun e lajm me gjak”.
Policia italiane është duke hetuar ngjarjen dhe nuk përjashton pistën e hakmarrjes, sidomos për shkak të fushatës virtuale që ka marrë përmasa të mëdha në TikTok e rrjete të tjera sociale.
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen e rëndë të disa ditëve më parë vazhdojnë. Tre persona janë nën akuzë: Aurelio Valiante, i cili u vetëdorëzua pas vrasjes; vëllai i tij, M. Valiante, që dyshohet se ndihmoi në fshehjen e trupit të pajetë në një kazan vere të maskuar me bimësi; si dhe Xhuijan Kurti, 27 vjeç, bashkëpunëtor i dyshuar i Rusi-t, aktualisht në gjendje të rëndë në spitalin “Cardarelli” të Napolit. Personi i tretë i përfshirë në tentativën e grabitjes vijon të jetë në arrati.
Trupi i pajetë i Rivaldo Rusi-t ndodhet ende në morgun e spitalit “San Luca” në Vallo della Lucania, ku pritet të kryhet autopsia, e cila do të jetë thelbësore për zbardhjen e rrethanave të vrasjes. Ekspertiza mjeko-ligjore do të përcaktojë nëse shqiptari është qëlluar nga përpara apo nga pas, një detaj kyç për të vendosur nëse vrasja përbën vetëmbrojtje të justifikuar apo një veprim të tepruar penal.
Në procedurën e autopsisë do të marrë pjesë edhe një mjek i autorizuar nga familjarët e viktimës, të cilët përfaqësohen nga avokati Fabio Della Corte.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë rritur masat e sigurisë në zonë dhe po hetojnë mundësinë që ngjarja e fundit të jetë pjesë e një përpjekjeje për të zbatuar “drejtësinë private” nga individë të lidhur me viktimën apo komunitetin e tij. Hetimet janë në vijim dhe pritet të zbardhin jo vetëm autorët e sulmit ndaj banesës së Valiante, por edhe rolin e secilit në përshkallëzimin e konfliktit mes palëve.