Skip to content

Stuhi gjatë natës, më pas rikthehet dielli – ja si ndryshon moti në ditët në vijim

    Sipas sinoptikanes Tanja Porja, vranësirat do të shtohen gradualisht gjatë pjesës së dytë të ditës së sotme, duke sjellë rikthimin e reshjeve në orët e mbrëmjes. Fillimisht do të jenë të pakta, por rreth mesnatës dhe pas saj pritet intensifikim i shpejtë, me reshje me intensitet mesatar deri të lartë në të gjithë territorin.

    Bëhet fjalë për një sistem të shpejtë atmosferik që do të kalojë gjatë natës dhe në pjesën e parë të ditës së nesërme, duke sjellë shi të dendur. Nga mesdita e nesërme pritet përmirësim i ndjeshëm i kushteve të motit.

    E shtuna do të nisë me vranësira dhe reshje shumë të pakta në orët e para, madje në zona të kufizuara lindore mund të ketë edhe momente të shkurtra me dëborë të lehtë. Më pas moti stabilizohet. Nga paraditja e së shtunës, e diela, e hëna dhe deri të martën pritet mot kryesisht me diell, vranësira të lehta dhe pa reshje.

    Sa i përket temperaturave, sot minimalet janë rritur me rreth 2 gradë, duke zbritur deri në -2°C në zonat malore. Në mesditë pritet rritje me rreth 3 gradë, kryesisht në perëndim të vendit, me maksimum rreth 15°C.

    Nesër në mëngjes temperaturat do të rriten ndjeshëm, duke kaluar në vlera pozitive pothuajse në të gjithë zonën malore. Në ultësirë dhe në bregdet minimalet do të jenë shumë pranë maksimumeve të mesditës. Maksimumi i ditës do të arrijë rreth 14°C, pak më i ulët se sot.

    Nga e shtuna pritet një rënie e lehtë e temperaturave në mëngjes, për shkak të kthjellimit të motit, ndërsa maksimumet do të qëndrojnë rreth 15°C. E diela dhe fillimi i javës tjetër vijojnë pa ndryshime të mëdha termike: mëngjeset mbeten të freskëta në ultësirë dhe të ftohta në zonat malore, ndërsa ditët do të jenë kryesisht me diell dhe mot të qëndrueshëm.

    Pas episodit të reshjeve intensive gjatë natës, vendi hyn në disa ditë relativisht të qeta, por me temperatura tipike dimri, sidomos në orët e para të mëngjesit.