Reshje të pakta do të shoqërojnë vendin gjatë gjithë ditës së sotme, kryesisht në veri dhe në zonën qendrore, në formën e momenteve të shkurtra me pika shiu. Por situata ndryshon ndjeshëm nga mbrëmja e sotme.
Sipas parashikimit, vonë pasdite dhe gjatë natës reshjet do të intensifikohen, duke vijuar me intensitet mesatar dhe të lartë përgjatë pjesës më të madhe të ditës së martë. Përveç rrebesheve të shiut, priten edhe reshje dëbore në lartësitë 600–700 metra mbi nivelin e detit.
Në zonat malore parashikohen sasi të konsiderueshme dëbore: nga 20 deri në 40 cm, ndërsa në disa zona të thella malore trashësia mund të arrijë deri në 50 cm dëborë të re brenda 24 orëve të ardhshme.
Nga mbrëmja e së martës dhe gjatë së mërkurës moti do të stabilizohet përkohësisht, me ndërprerje të reshjeve. Të enjten rikthehen reshjet, kryesisht dëborë në skajin verior dhe verilindor, ndërsa në veriperëndim priten reshje të pakta shiu. E premtja sjell reshje të dobëta, ndërsa e shtuna paraqitet kryesisht me vranësira dhe kthjellime, me reshje lokale të papërfillshme.
Temperaturat do të pësojnë luhatje të forta gjatë javës. Sot maksimumet arrijnë 15–16°C, kryesisht në jugperëndim. Të martën shënohet rënie e ndjeshme, me minimale negative deri në -1°C në zonat malore dhe maksimum rreth 13°C. E mërkura vijon me mëngjes të ftohtë dhe maksimum rreth 14°C, tipik për fundin e shkurtit.
Të enjten temperaturat rriten sërish, me minimale rreth 0°C dhe maksimum deri në 17°C, ndërsa të premten maksimumi zbret në 15°C. Kjo javë karakterizohet nga kapërcime të forta termike, duke kaluar nga kushte tipike vjeshte në kushte tipike dimri.
Paralelisht, sonte dhe gjatë ditës së martë priten stuhi të forta ere. Në det të hapur shpejtësia e erës do të kalojë 80 km/h, duke krijuar probleme për trafikun detar. Në territor era mund të arrijë 75 km/h dhe në momente të shkurtra edhe më shumë, çka kërkon kujdes nga autoritetet dhe operatorët e rrjetit elektrik.