Studentët i rikthehen sot protestave: Qeveria nuk i mbajti premtimet/ Lista e kerkesave

722
0

Sot, studentët e universiteteve në të gjithë vendin kanë paralajmëruar rikthimin e protestave para Ministrisë së Arsimit, për shkak se sipas tyre “Pakti për Universitetin” nuk është përmbushur ashtu siç është premtuar. Tubimi studentor në Tiranë do të nisë prej orës 12:00, ndërsa protesta do të ketë edhe në universitetet e rretheve. Dy ditë më parë studentët dolën me një deklaratë dhe publikuan nëntë kërkesa, të cilat sipas tyre nuk janë përmbushur nga qeveria.

Kërkesat e studentëve

1.Portali i transparencës të bëhet funksional

2.Pesha e votës të studentëve për zgjedhjet e dekanëve dhe rektorëve të rritet në 25 %

3.Zgjedhjet e universiteteve dhe studentët kërkojnë që organet kompetente të njohin vullnetin e studentëve, pra të njohin si përfaqësues në Bordin e Administrimit kandidatin e votuar

4.Karta e studentit të jetë e unifikuar dhe të ketë vlefshmëri në rang republike, për të gjithë studentët njësoj

5.Stazhet të paguhen të plota

6.Rankimi i programeve të studimit

7.Përmirësimi i kurrikulave mësimore

8.Sondazhi Kombëtar i Studentëve dështoi

9.Afrimi i provimit të licencës (1 muaj mbas stazhit)

Ndërkohë, kryeministri Rama në postimin e mëngjesit në rrjetet sociale poston një video, ku sipas tij janë mbajtur të gjitha premtimet ndaj të rinjve, pas protestave të dhjetorit.

“Mirëmëngjes me këtë videoinformacion mbi angazhimet e mbajtura në kuadër të Paktit për Universitetin, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri në postimin e këtij mëngjesi, shoqëruar edhe me këtë video si më poshtë:

Protestat masive të studentëve nisën masivisht në dhjetor të 2018-ës. Fillimisht studentë të universiteteve të Tiranës dhe më pas nga i gjithë vendi, fillimisht protestuan kundër një tarife të re për riprovimet, për të vijuar më pas me tetë kërkesa të tjera për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe konvikteve.

Protestat zgjatën deri ditët e para të janarit, kur qeveria doli me një platformë të ashtuquajtur “Pakti për Universitetin” dhe ku parashihej përmbushja e tetë kërkesave, madje edhe tejkalimi i tyre. Por sot, 4 muaj më pas, studentët pretendojnë se kërkesat e tyre nuk janë përmbushur dhe kanë dalë me një listë të re kërkesash.