Stërmundimi i pushimeve me fëmijët; Letra e një nëne të re e të rraskapitur

1436
0

E keni parasysh atë momentin kur të gjithë mezi presin pushimet për t’u çlodhur? Mirë pra, unë jo. Sapo jam kthyer këtë javë dhe them nuk ka si puna. Të paktën këtu rri ulur në karrige dhe nuk më dhemb mezi gjithë ditën si gjatë kohës së pushimeve.

Pushime u thënçin, sepse nuk kam pushuar dy minuta të vetme. Unë kam dy fëmijë, vajzën tre vjeç dhe djalin dhjetë. U nisëm në një resort në Turqi bashkë me dy çifte të tjera miqsh, njëri me një fëmijë një vjeç dhe çifti tjetër me dy djem, shtatë dhe pesë vjeç. Kishim bërë shumë plane, sa do kënaqeshim të gjashtë, bisedat që do bënim, darkat që do hanim të gjithë bashkë…

Fiks si në fotot e katalogut. Por nuk qe e thënë: me çiftet e tjera u takuam vetëm në aeroport dhe në avion, sepse gjatë gjithë dhjetë ditëve të gjithë ishin pas fëmijëve. Ata me vajzën një vjeç edhe drekën e hanin veç e veç e shpejt e shpejt, ndërkohë që tjetri mbante të voglën që sa kishte filluar të ecte dhe nuk lodhej duke I rënë rreth e qark oborrit dhe pishinës, me një nga prindërit përkulur mbi të.

Çifti me dy djemtë që vetëm ziheshin e kalonin ditët tek lodrat e pishinës dhe duke u zënë dhe ata me njëri tjetrin, sepse babai mendonte që djemve u duhej folur me të butë kurse e ëma thoshte që ishte faji i tij që nuk ishte i rreptë aq sa duhej. Ndërsa unë i shihja nga larg me vajzën time të vogël që kishte frikë nga deti dhe donte të rrinte në pishinë ndërsa burri im rrinte gjithë ditën në plazh me çunin që donte të lahej vetëm në det.

Edhe me njëri tjetrin nuk u pamë pothuajse fare gjatë gjithë ditëve të pushimeve, secili i lodhur për hesap të vet. E kotë të them që nuk vesha treçerekun e rrobave që kisha në valixhe, pale të kombinoja varëset me çantën e plazhit dhe me kapelen dhe të ndiqja gjithë këshillat që lexoj nëpër revista… Edhe ngjyrën e kam marrë me njolla sepse vajza tre vjeç që e lyeja me krem pesëdhjeta sa herë që futej në pishinë me mua më linte ngado njolla kremi të bardhë, që lëkurën time e mbronin vende – vende. Të lexoja libër apo revistë në shezlong? Kush të linte? Vajza që thërriste orë e çast “shi si po hidhem maaaa” jo njëherë.

Kur u ktheva në Tiranë dhe mora motrën në telefon i thashë “lum ti që i ke fëmijët adoleshentë dhe mund të shijosh pushimet”. Por e dini ç’më tha? Që ata nuk pranojnë që këtë vit të shkojnë me prindërit, sepse nuk kanë më moshë për këtë gjë. Tani motra duhet të vendosë nëse ia vlen të ikë mendjengritur dhe ata t’i lërë vetëm tek e gjyshja, për ta kaluar kohën pastaj në telefon duke u folur që të mos zihen. Ose të ngelë fare pa pushime dhe të rrijë me zemër të ngrirë kur ata të kërkojnë të ikin vetëm në Jalë me shokët e tyre. 
A nuk duhet të ishte një periudhë e bukur dhe e lumtur kjo? Apo një stres më shumë?