Spartak Ngjela ndryshon rrjedhën e ngjarjeve: Ju tregoj pse Valdrin Pjetri është “punë” e amerikanëve

1450
1

Nga Spartak Ngjela

Rreth çështjes së Valdrin Pjetrit

Nuk ka më të paturpshëm sesa të korruptuarit e politikës së lartë të një shteti të kapur nga krimi, si Shqipëria e sotme!
Shikoni se çfar po ndodh në Shqipëri!

l.
Ja si po rezulton rasti i kryebashkiakut të Partisë Socialiste, Valdrin Pjetri, të akuzuar nga krerët e Partisë Demokratike, si i dënuar në Itali për trafik droge në vitin 2004, dhe e konfirmuar kjo edhe nga Zëri i Amerikës.

I akuzuari i fundit i lidërshipit të PD-së, socialisti i zgjedhur kryetar i Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri, më parë, na paska qenë në një post kyç të emëruar nga kryeministri Berisha në vitin 2010-2013. Ai ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Trajtimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara nga “Task Forca” e Krimit të Organizuar, Mafies dhe Terrorizmit.

Shumë i kanë dhënë atëherë të akuzuarit të tyre. Pse kaq shumë?

Po, tani duhet të pyesim: çfarë na paska kapur Partia Demokratike me zërin e Lulzim Bashës? Paska “kapur” një bashkëpunëtorin e vet. Po mirë, budallenj i dinë shqiptarët këta?

Po, si mund të besohen më këta njerëz pa asnjë kod moral që drejtojnë shoqërinë shqiptare! Si mund të emërohet Mafia për të administruar pronat e Mafies!
Por, pas kësaj, emërtuesit e mafiozit menaxher pronash të pakontabilizuara, e denoncojnë të emëruarin prej tyre si trafikant droge, të dënuar në Itali. (!) E shihni sesa punë ka përpara Byroja Kombëtare e Hetimit në këtë çështje gjatë muajit shtator-tetor?

ll.
Janë disa të huaj që më kanë thënë këto ditë: “kaq poshtë paska rënë ky vendi juaj i mjerë, dhe shqiptarët, kaq pa fare aftësi janë që e kanë lënë gjendjen të rrjedhë kështu?”.
Dhe kanë të drejtë… Por, shtypja e korrupsionit shqiprar nuk ishte aq e lehtë sa iu duket gazetarëve apo studiuesve të huaj. Duhet forcë për shkuljen nga rrënjët e kësaj të keqeje shqiptare njëqindvjeçare. Dhe forca më në fund u gjet.

lll.
Por, ka edhe më, në rastin Pjetri.
Edhe Rama, në pushtet me Metën, në vitin 2013 -2014, e mbajti sërish në të njëjtin post Valdin Pjetrin, atë që kishte dhënë Sali Berisha: drejtor i përgjithshëm për pronat e konfiskuara të mafies dhe terrorizmit. Paska qënë stafetë e korrupsionit dypartiak Valdrin Pjetri. Kështu po rezulton. Atëhere, denoncimi i Lulzim Bashës, ose është lojë, ose aksident i ardhur nga mendjetrashësia e tij

E kuptoni se cilët janë këta? Një trafikant kanë vënë të menaxhojë pronat e sekuestruara dhe të konfiskuara të Mafias, që të dyja palët e larta të politikës shqiptare. Domethënë, Mafia administron Mafien. Të jetë një rastësi kjo? Kurrë nuk mund të jetë rastësi.

Por ka edhe më.
Në vitin 2014-2016, Rama e emëron Valdin Pjetrin drejtor të Pronave të Ministrisë së Mrojtjes. Sepse korrupsioni shqiptar
i ka përpirë të gjitha pronat e Ministrisë së Mbrojtjes. Edhe këtu ka shumë punë Byroja Kombëtare e Hetimit, sepse një vit më vonë, po ky Pjetri, është emëruar drejtor i demontimit të armatimit. Eh, sa punë që paska Byroja Kombëtare e Hetimit në këtë çështje!

Dhe kudo me pronat shtetërore, po na del në pah se ka punuar ky Pjetri, një trafikant, i cili, për çudi, edhe të atin e ka pasur ndërkohë nëndrejtor të përgjithshëm të KESH-it . Por, në vitet 2018-2019 ka qenë edhe drejtor i Përgjithshëm i Hipotekave të Shqipërisë.
E shihni se kush e drejton shtetin shqiptar! Dhe shqiptarët prisnin zhvillim…

IV.
Por historia e hetimit të krimit shtetëror na ka mësuar se, gjithmonë të tremburit nën hetim gabojnë, ngaqë nuk e kanë më qetësinë mendore. Sepse, përse e denoncoi Partia Demokratike njeriun e vet kur ky u zgjodh kryetar i Bashkisë së Shkodrës? Kjo është pika kyç e hetimit të kësaj çështjeje.

Është humbja e ekuilibrit e lidershipit të Partisë Demokratike, apo ka qenë kombinacion i politikës së fshehtë perëndimore ajo që i ka hedhur këtu? Sepse, logjikisht, nuk kuptohet: Valdin Pjetrin ia kanë kapur Berishës, apo Ramës. Apo që të dyve? për t’i çuar bashkë përpara Byrosë Kombëtare të Hetimit me thëniet dhe pohimet e tyre.

Them se kjo e dyta është mundësi, pasi është brenda mënyrës dhe metodës amerikane të hetimit. Të shohim…
Por tani, në prag të strukturimit të SPAK-ut, i duhen drejtuar pyetjet vetë Byrosë Kombëtare të Hetimit. Dhe, në fakt, kjo Byro tani nuk ka vështirësi hetimi, sepse “heronjtë” kanë folur vetë. Por pyetja kryesore është kjo:
Pse e denoncove ti Basha Ramën për Pjetrin, kur ju vetë keni punuar me këtë të inkriminuar?

E shihni se çfarë komedie po luajnë të korruptuarit e sotëm të Shqipërisë së varfëruar deri në ekstrem? Janë pikërisht këta që e kanë qeverisur Shqipërinë në 30 vjet!
Kjo, sigurisht që një komedi është, por biletat i paguajnë shqiptarët e varfër që mezi sigurojnë bukën e gojës.

Aleatët tanë duhet të shpejtojnë. Këta të korruptuar që drejtojnë shtetin janë dëmprurës të rrezikshëm antishoqërorë në çdo orë që ikën. Këtë duhet të ketë parasysh politika amerikane, sepse shqiptarët po presin me ankth të dalin nga një tragjedie njëqindvjeçare që është luajtur mbi shpinën e tyre.