SPAK njofton akuzën për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur zyrtarisht, më 31 tetor 2025, akuzë penale ndaj Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas njoftimit zyrtar, Balluku akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, në bashkëpunim (nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal).
Hetimi dhe procedurat
SPAK bën të ditur se çështja lidhet me procedurat e prokurimit publik për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë” në aksin Orikum–Himarë.
Hetimi është pjesë e një procedimi penal të vitit 2025, i bashkuar me procedura të nisura që prej vitit 2024.
Sipas të dhënave të prokurorisë, abuzimet e dyshuara kanë ndodhur gjatë fazës së parë të tenderit të zhvilluar më 11 dhjetor 2020, i cili më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit prej 18.9 miliardë lekësh pa TVSH.
SPAK e njoftoi zyrtarisht Ballukun për akuzën me shkresë më 21 tetor 2025, ndërsa pas kërkesës së saj për shtyrje të paraqitjes, u caktua një datë e re më 31 tetor, ora 15:00, për komunikimin zyrtar të akuzës.
Deklarata e Ballukut pas paraqitjes në SPAK
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ku qëndroi për rreth dy orë, Balluku u shpreh se e sheh procesin me besim tek drejtësia dhe transparenca.
“Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e prokurorisë së posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare dhe si zyrtare publike, e shoh këtë si një proces që do të jetë i bazuar mbi transparencën dhe drejtësinë, tek të cilat besoj,” – deklaroi Balluku.
Ajo nuk dha detaje mbi natyrën e plotë të çështjes, duke u mjaftuar të theksojë se bëhet fjalë për një proces hetimor në zhvillim.
Vijimi i procedurës
SPAK pritet të vlerësojë provat e grumbulluara dhe të përcaktojë në vijim hapat e mëtejshëm të hetimit për tenderin e Tunelit të Llogarasë — një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit në vend.
Njoftimi i plotë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj sot, më 31 tetor, në orën 15:00.