Skena si nëpër filma në Itali. Grupi i komandove me kallash grabit 3 mln euro, djegin autoblindat

3491
0

Një grabitje e ngjashme me skenarët e filmave “Far West” të regjisorëve të Hollywood-it ka ndodhur në Itali. Automjete të blinduara që transportonin rreth 3 milionë euro, janë sulmuar dhe grabitur në zonën e Salentos nga një grup i armatosur që i përngjanin forcave komando.

Grabitja e mjeteve të blinduara të kompanisë Battistoli ka ndodhur pranë Torchiarolos, në rrugën nacionale që lidh Brindisin dhe Leçen.

Sipas gjetjeve fillestare nga karabinierët grupi komando që ka realizuar supergrabitjen përbëhej nga 8 deri në 10 persona. Sipas rikonstruksionit të parë, kriminelët, të armatosur dhe me fytyrat e mbuluara me kapuç, kanë qëlluar disa herë me kallashnikovë dhe kanë djegur dy makina e një furgon në rrugën përballë për të penguar ndërhyrjen e forcat e rendit.

Në total grupi i vuri flakën gjashtë automjeteve dhe pas grabitjes u largua në fshatrat përreth ku policia gjeti 300 euro në kartëmonedha, që siç duket i përkasin plaçkës së vjedhur. Rruga nacionale 613 është mbyllur për trafikun në të dy drejtimet, ndërsa hetuesit ndodhen në vendngjarje dhe kanë mbetur të tronditur, pasi grabitësit kanë vepruar në aksin e frekuentuar në këtë periudhë nga mijëra turistë që shkojnë në Salento.

Nga konstatimet e para të policisë rezulton se nuk ka pasur të lënduar në mesin e rojeve të sigurisë që ndodheshin brenda mjetit të blinduar.

Zëvendëskryetari i komisionit parlamentar Antimafia, deputeti i Brindisit, Mauro D’Attis ndërhyri për këtë çështje dhe i kërkoi ministrit të Brendshëm të ndërhynte me vendosmëri për të kapur bandën që kreu grabitjen.

Senatori i Leçes, Roberto Marti, kërkoi gjithashtu ndërhyrjen e ministrit, i cili “i dha një përgjigje të shpejtë”, me mbledhjen e komitetit krahinor për rendin dhe sigurinë, duke thënë se “akte të tilla janë të papërshkrueshme dhe nuk duhet të përsëriten”.