SKANDALI me mikrokreditë/ Njëri prej të akuzuarve hidhet nga pallati

364
0

Është vetëvrarë njëri prej të akuzuarve lidhur me skandalin e mikrokredive në Tiranë.

Bëhet me dije nga burimet për media se viktima është identifikuar si Olsi Ibro.

Sipas informacioneve të para, ai është hedhur nga pallati, teksa policia dhe ambulanca ndodhen në vendin e ngjarjes. E nde nuk ka një informacion zyrtar mbi ngjarjen ndërkohë që hetimet vijojnë ende.

Kujtojmë se hetimi për skandalin e mikrokredive ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, Shoqërisë Përmbarimore Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre për krijim “skeme mashtruese dhe piramidale”, pas dyshimeve se përmbarues, avokatë e noterë ishin bërë bashkë, duke futur në kurthe financiare mijëra qytetarë.

Por si funksiononte skema e vjedhjes së 9 të dyshuarve? 

Referuar hetimit të Prokurorisë së Tiranës, kundrejt një shumë prej 450 mijë eurosh, shoqëria Micro Credit Albania, ka marrë nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro.

Skema shtrënguese e kredimarrjes nëpërmjet vjedhjes imponohej për debitorët që kishin borxhe të vjetra tek banka e nivelit të dytë, të cilëve u bllokohej nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive te blera, nga MCA është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.

Me marrjen e një kredie të re nga kreditori pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditoreve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Nga ana tjetër, hetimi ka vërejtur se sekuestrot janë shtrirë edhe ndaj personave që nuk kanë lidhje me ekzekutimet e vendimeve gjyqësore. Rasti më flagrant i kësaj natyre është ai ndaj një qytetari ku Micro Credit Albania për një detyrim të pashlyer prej gati 3.5 milionë lekësh të vjetër i ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme. 

Po sipas hetimit, përmbaruesit kanë shtuar kamatat e vonesave në mënyrë të paligjshme, duke vjedhur debitorët, në një kohë që shumën e përcaktuar në titullin ekzekutiv e përcakton vetëm gjykata.