Skandal në europianin e peshëngritjes ku merr pjesë dhe Shqipëria, digjet flamuri (VIDEO)

207
0

Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes po merr pjesë në kampionatin europian që po mbahet në Jerevan të Armenisë. Kuqezinjtë përfaqësohen me shtatë sportistë në pesha të ndryshme.

Briken Çalja dhe Erkand Qerimaj janë pretendentë për zonën e medaljeve. Këtë të shtunë është mbajtur edhe ceremonia e hapjes ku skuadrat janë prezantuar me radhë.

Por një skandal ka përfshirë eventin teksa një person nga publiku është afruar tek flamuri i Azerbajxhanit dhe i ka vënë flakën. I pranishëm në ceremoni ishte edhe Kryeministri i Armenisë.

Pas këtij veprimi Azerbajxhani tërhoqi ekipin kombëtar. Ngjarjen e konsideroi skandal me prapavijë politike dhe bën me përgjegjësi qeverinë armene.

Media armene e identifikoi autorin e djegies së flamurit të Azerbajxhanit si Aram Nikolyan, një stilist armen i akredituar për ceremoninë e hapjes, i arrestuar nga policia.

Incidenti erdhi disa ditë pas një tjetër përshkallëzimi të situatës midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, kur shtatë persona nga të dyja palët u vranë si pasojë e një konfrontimi të armatosur në një zonë kufitare.

Arsyeja e konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit qëndron në rajonin e Nagorno-Karabakut.