Skip to content

Sinoptikania jep lajmin e mirë: Pas kësaj datë ikën i ftohti

    Nga Pasditja e së premtes pritet një rritje e menjëhershme e temperaturave

    Ndërrimi i viteve do të shënohet nga mot i kthjellët, por shumë i ftohtë. Meteorologia bën me dije se i ftohti ka nisur që në orët e para të mëngjesit dhe do të vijojë deri të premten, duke sjellë temperatura mjaft të ulëta në të gjithë territorin.

    Mëngjesi i sotëm ishte një nga më të ftohtët e ditëve të fundit. Në zonat malore të veriut dhe verilindjes termometri ka zbritur deri në -7 dhe -8 gradë, ndërsa në juglindje, në zona si Pogradeci, Korça dhe Erseka, temperaturat kanë qenë rreth -4 gradë. Edhe në mesditë, në disa zona malore, temperaturat mbeten pranë zeros, një situatë e rrallë për Shqipërinë.

    Në zonat e ulëta dhe bregdetare, temperaturat e mëngjesit janë afruar shumë pranë zeros në Shkodër dhe Lezhë, ndërsa Tirana ka shënuar rreth 2–3 gradë. Durrësi është regjistruar rreth 5 gradë, ndërsa vetëm jugu i skajshëm, nga Himara drejt Sarandës, ka pasur vlera disi më të buta, rreth 8–9 gradë.

    Ekspertët theksojnë se kjo valë e të ftohtit është një ngjarje e pazakontë, pasi temperaturat ditore maksimale janë 4–5 gradë nën normalen mujore. Edhe në mesditë, vlerat maksimale nuk i kalojnë 11–12 gradë në zonat më të ngrohta të vendit.

    Nata e ndërrimit të viteve do të jetë e kthjellët, pa reshje, por me acar të fortë. I ftohti pritet të vijojë edhe në ditët e para të vitit 2026, me temperatura minimale që në disa zona malore mund të zbresin deri në -10 gradë, ndërsa maksimalet në rang vendi nuk do të kalojnë 10 gradë.

    Pas kësaj periudhe të acartë, nga e premtja pritet një rritje e menjëhershme e temperaturave, e shoqëruar me rikthim të reshjeve. Fillimisht priten reshje shiu dhe dëbore, ndërsa gjatë fundjavës dëbora do të mbetet kryesisht në zonat e thella malore.

    Nga java e parë e janarit parashikohen reshje të konsiderueshme në të gjithë territorin, me intensitet mesatar dhe herë pas here të lartë, veçanërisht në veri dhe jug. Meteorologët paralajmërojnë se ka sinjale për rrezik përmbytjesh rreth datave 7–9 janar, por situata do të përditësohet në ditët në vijim.

    Janari 2026 pritet të nisë seriozisht, me shumë reshje dhe pak ditë me diell, një fillim i ashpër, por që sipas ekspertëve sjell edhe bereqet dhe mbarësi.