Si të përdorni biçikletat e reja Mobike në Tiranë

1054
0

Në Ditën Botërore të Biçikletave, Veliaj nënshkroi marrëveshjen për të sjellë në Tiranë 4,000 biçikleta Mobike. Duhet t’i keni parë tashmë rrugëve e trotuareve. Janë portokalli, të ulëta dhe me kosh përpara.

Në dallim nga biçikletat e Ecovolis, biçiketat Mobike nuk kanë stacion. Pra, mund të gjenden kudo nga kushdo që do t’i marrë me qira. Gjithashtu, nuk mund të paguani cash për to. Ja si mund t’i merrni me qira.

Fillimisht regjistrohuni ketu duke perfituar 5 udhetimet e pare falas, pasi te keni bere verifikimin e numrit tuaj, shkarkoni aplikacionin Mobike në App Store apo Google Play, fusni numrin tuaj të celularit dhe kodin e konfirmimit që do t’ju dërgohet shkurtimisht. Më pas, tek ikona në pjesën e sipërme majtas të ekranit, plotësoni të dhënat e mbetura, si fjalëkalimi, adresa e emailit, seksi, emri i përdoruesit dhe një foto nëse dëshironi. Tani jeni gati të kaloni në hapin tjetër.

Tek menuja që shfaqet në të majtë, shtypni My Wallet dhe më pas Top Up. Këtu do të hidhni lekë në llogarinë tuaj. Zgjidhni shumën dhe më pas fusni të dhënat e kartës suaj të debitit a kreditit. Konfirmoni dhe paguani. Fill pas kësaj, ju keni para në kuletën e aplikacionit dhe mund të merrni me qira biçikleta.

Nëse jeni përdorues më të rregullt, mund të zgjidhni metodën tjetër të pagesës, Mobike Pass, që shërben si abonim. Tek My Wallet, në vend të Top Up, zgjidhni Purchase. Në faqen tjetër keni disa mundësi si për shembull 30 ditë për 990 lekë. Pra, ju paguani 990 lekë dhe mund t’i përdorni biçikletat dy orë çdo ditë pa pagesë për 30 ditët e ardhshme. Nëse tejkaloni dy orëshin, do të tarifoheni çmimin normal, që është 40 lekë për 20 minuta udhëtim.

Faqja e parë e aplikacionit është harta e zonës përreth vendndodhjes suaj dhe aty mund të gjeni biçikletat më afër jush. Shtypni mbi biçikletën që doni dhe rezervojeni. Rezervimi është i vlefshëm për 15 minuta. Kur të arrini tek biçikleta, shtypni Unlock në bazën e ekranit dhe skanoni kodin QR në mes të timonit. Në këtë moment, biçikleta bëhet juaja. Hipni, udhëtoni, bëni ç’të doni, por trajtojeni me kujdes.

Kur të përfundoni udhëtimin, parkojeni biçikletën në një vend të sigurt, që nuk bllokon trafikun dhe që e bën lehtësisht të gjindshme nga të tjerët. Për të kyçur biçikletën, shtypni levën mbi rrotën e pasme deri sa të arrijë në anën tjetër, si në video. Do të dëgjoni tre tinguj të lartë që sinjalizojnë kyçjen. Do të faturoheni nga momenti i hapjes së biçikletës, deri tek i kyçjes.

Nëse e përdorni për (<)20 minuta, do të paguani 40 lekë. Nëse e përdorni për 21 deri në 40 minuta do të paguani 80 lekë. Nëse e përdorni për 41 deri në 60 minuta do të paguani 120 lekë. E kështu me radhë. Nëse e përdorni një biçikletë për 10 minuta, e kyçni për 10 minuta dhe përdorni prap për 10 minuta të tjera, do të paguani për dy udhëtime, pra 80 lekë.

Udhëtim të mbarë dhe mbroni mjedisin.