Si ta kuptoni që matësi i energjisë nuk po ua “fut”? Këta janë hapat që duhet të ndërmerrni

677
0

Të gjithëve na ka qëlluar të habitemi nga një faturë energjie e cila ka regjistruar një vlerë dukshëm më të lartë sesa ajo që ne perceptonim se kemi konsumuar. Nëse kjo përsëritet në disa raste atëherë e keni ju në dorë të kërkoni verifikim.

Për t’i dhënë zgjidhje këtyre situatave Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar një rregullore në të cilën përcakton mënyrën si procedohet për paraqitjen e një kërkese shqyrtimin e saj dhe afatet e njoftimit kur klienti dyshon në saktësinë e të dhënave të aparatit matës të energjisë elektrike.

Hapi i parë në rast dyshimi është ai i paraqitjes së një kërkese në zyrat e Operatorit të Rrjetit (në çdo rast mund të jetë operatori i transmetimit dhe/ ose i shpërndarjes) si dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës për verifikim.

Operatori përgjegjës duhet të paraqitet për të bërë verifikimin jo më vonë se 5 ditë pune nga paraqitja e kërkesës. Paraprakisht klienti njoftohet me shkrim për orën dhe datën e kryerjes së këtij verifikimi.

Në rregullore thuhet:

Nëse gjatë verifikimit të matësit elektrik, nga ana e Operatorit të Rrjetit konstatohen parregullsi apo ndërhyrje të paautorizuara në sistemin e matjes, që ndikojnë në regjistrimin e konsumit të energjisë elektrike dhe nuk përbëjnë vepër penale, merr masa të menjëhershme për riparimin dhe zëvendësimin e pajisjeve, në të cilat është ndërhyrë, përllogarit dëmin ekonomik të shkaktuar nga ndërhyrjet e paligjshme, sipas metodologjisë së llogaritjes së dëmit të miratuar nga ERE. dhe zbaton procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.”

Në rastet kur verifikimi i i matësit është bërë me kërkesë të klientit dhe gjatë verifikimit të matësit nuk konstatohen pasaktësi, atëherë shpenzimet e verifikimit paguhen nga klienti që ka paraqitur kërkesën.

Rregulloja është tashmë në fuqi dhe çdo rast dyshimi dhe kërkesë për verifikim duhet të zbatohet sipas kësaj procedure./Monitor