‘Si i shpëtova jetën shqiptarit që ishte paguar për të më vrarë’! Zemëroi Ramën me emisionin e tij, gazetari italian rrëfen ngjarjen e pazakontë

290
0

Gazetari italian, Sigfrido Ranucci, drejtuesi i emisionit investigativ “Report” në Rai3 ka shkaktuar një furtunë reagimesh pas emisionit të fundit për marrëveshjen Itali-Shqipëri për emigrantët, si dhe rolin e sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.

Në një intervistë të dhënë për emisionin “La volta buona” në Raiuno la ka rrëfyer edhe një histori të pazakontë lidhur me Shqipërinë.

Ai ka rrëfyer se si ka shpëtuar një shqiptar nga vdekja, për të cilin më vonë mësoi se ishte paguar për ta vrarë atë.

Ngjarja ka ndodhur katër vjet më parë, kur pranë shtëpisë së tij ndodhi një përplasje e fortë, ndërsa ai pa një motorist brenda një pellgu gjaku. I riu, sipas rrëfimit, kishte thyer nofullën si dhe kish prerë arterien femorale e cila mund të shkaktojë vdekjen brenda pak minutave nëse nuk ndërpritet gjakderdhja.

“Ia kam qepur plagën, kishte një arterie femorale të prerë dhe do të kishte vdekur për 20 minuta. Kushdo që është motoçiklist, siç ishte babai im, e di që në atë çast ke shumë pak minuta për të ndërhyrë dhe për të ndaluar gjakderdhjen, gjë që u përpoqa ta bëja menjëherë. Ishte një djalë shqiptar, trafikant droge. Vite më vonë e zbulova se e kishin dërguar të më vriste, prandaj përfundova nën ruajtje. Ka sakrifica për mua! Duhet të falënderoj shtetin sepse më lejon të vazhdoj lirisht të bëj punën time”, thotë ai.

Disa muaj më vonë, gazetari mësoi se shqiptari që i shpëtoi jetën i quajtur Ardian ishte paguar nga një grup kriminal për ta vrarë atë.

Sigfrido Ranucci thotë gjatë intervistës se nuk është penduar kurrë pasi e ka shpëtuar nga vdekja e sigurt.

Prej asaj kohe, pra nga viti 2020, gazetari shoqërohet me eskortë policie.