Një nga pyetjet kryesore që ka ngritur ngjarja ka të bëjë me mënyrën sesi Elvis Shkambi arriti të fuste një armë zjarri në ambientet e siguruara të gjykatës. Pavarësisht pranisë së punonjësve të sigurisë private dhe pajisjeve për detektimin e metaleve, autori arriti të kalojë me armë dhe të kryejë atentatin brenda sallës së gjyqit.
Gazetari Igli Çelmeta ka zbardhur gjithë dinamikën e ngjarjes së rëndë në gjykatën e Apelit, ku humbi jetën në krye të detyrës gjyqtari Astrit Kalaja.
Çelmeta tregon se pasi ka hyrë i armatosur, përmes një detektori metalesh që nuk funksiononte prej ditësh në hyrje të gjykatës, autori Elvis Shkëmbi ka ndjekur seancën gjyqësore deri në fund.
Teksa gjithçka po mbyllej pa tensione, në momentin e dhënies së vendimit ai ka nxjerrë armën duke qëlluar me tre plumba gjyqtarin Kalaja dhe më pas babë e bir që ishin palë në proces.
Elvisi më pas ka dorëzuar armën e krimit dhe ka qëndruar në oborr të gjykatës ku u arrestua nga policia pa bërë rezistencë.
“Nga dëshmia e dhënë nga roja është se detektori i metaleve nuk ka punuar jo vetëm sot por prej ditësh, skaneri që kontrollon të gjithë njerëzit, nuk ka funksionuar. Ai nuk ka funksionuar duke e lënë Elvis Shkëmbin të hyjë i armatosur. Në orën 14:00 Elvis Shkëmbi ka qenë më xhaxhanë e tij Gjon Shkëmbi. Seanca po zhvillohej pa tensione deri në momentin e dhënies së vendimit. Në këtë moment Elvisi ka qëlluar 3 herë ndaj gjyqtarit dhe më pas ndaj dy personave që ishin palë në proces. Më pas ka dorëzuar armën dhe ka qëndruar në oborrin e gjykatës, ku është dhe arrestuar”, u shpreh Çelmeta