Shtimi rasteve te reja me Covid-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve kerkon kufizime te tjera

841
0

Muaji dhjetor pritet të jetë një muaj edhe më i vështirë sa i përket sëmundshmërisë nga koronavirusi. Infektimet pritet të arrijnë në 1 mije raste në dite si dhe do të rriten shtrimet në spital.

Parashikimi i zymtë vjen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Anëtari i KTE, dr. Skënder Brataj, tha sot se do të detyrohen të kërkojnë aplikimin e masave të tjera shtrënguese në orare dhe aktivitete të ndryshme.

Sipas tij, situata nga epidemia pritet të përkeqësohet edhe më tepër. Për më tepër, rritja e infektimeve parashihet të shoqërohet me fluks të ri shtrimesh dhe humbje jetësh.

Drejtor i Urgjencës Kombëtare,  Skënder Brataj thotë se në dhjetor numri i të infektuarve mund të arrijë 1 mijë raste në ditë.

“Nga 700-800 raste të ditëve të fundit, do të kemi një rritje 20-30% të rasteve ditore dhe shtrimeve në spital. Dimri, temperaturat e ulëta, lagështia e ajrit dhe qëndrimi në ambiente të mbyllura janë favorizues të përhapjes së virusit”.

Përfaqësuesi i Komitetit Teknik shprehet i rezervuar në lidhje me masat e tjera që parashihet të merren për të parandaluar përhapjen e virusit.

Por Brataj nuk nguron të deklarojë nevojën për të aplikuar kufizimet e tjera, si në orare ashtu dhe në aktivitete të ndryshme.

Po kaq të nevojshme janë edhe rregullat që duhet të zbatohen nga qytetarët.

“Nevojiten kufizime të tjera. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen të zbatojnë rregullat, nëse nuk do të kontrollet infeksioni do të ketë masa të tjera, kufizime të orareve dhe masa siç po aplikojnë vendet e tjera të botës”.

Një nga treguesit kryesorë të përkeqësimit të situatës janë spitalet, dedikuar rasteve të rënda me koronavirus. Në katër spitalet Covid janë të shtruar rreth 500 pacientë, ku 32 janë në reanimacione e prej tyre, shtatë persona janë të intubuar.

Aktualisht  18 mijë e 523 persona janë të sëmurë aktivë. Më të prekurit nga virusi janë 65-70 vjeçarët, grupmosha që ka patur edhe më shumë humbje jete.

Nga fillimi i epidemisë mbi 810 persona nuk kanë mundur t’i mbijetojnë sëmundjes kurse 18 mijë e 849 janë shëruar. Tek të shëruarit nuk përfshihen ata që e kanë kaluar pa bërë tampon dhe pa u kuruar në shtet.