Shteti italian kërkon 31 mijë punonjës sezonale, ja si të përfitoni

1856
0

Më në fund qeveria nxjerr dekretin e flukseve 2019 që përbën të vetmen mënyrë të ligjshme për të ardhur në Itali për punë.

Ai është botuar më 9 prill, në Gazetën Zyrtare italiane e ashtu si dekreti i vitit të shkuar, vë në dispozicion 30.850 kuota, thuajse që të gjitha për të mundësuar ardhjen në Itali për punë të varur sezonale të punonjësve të huaj dhe për konvertime lejesh të ndryshme qëndrimi në leje pune, të të huajve tashmë rezidentë në Itali, apo që kanë një lejeqëndrim afatgjatë CE të lëshuar ng një vend tjetër i BE-së.

Në dekret përcaktohet gjithashtu edhe kalendari i nisjes së kërkesave, që do të përgatiten e do të paraqiten, si gjithmonë përmes portalit të ministrisë së Brendshme në https://nullaostalavoro.dlci.interno.it. Më saktësisht, 30.850 kuotat janë të ndara si më poshtë:

Ardhjet

-18.000 për punonjës sezonalë për sektorin bujqësor dhe turistik. Punonjësit mund të jenë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Algjeria, Bosnja-Herzegovina, Korea, Bregu i Fildishtë, Egjipti, El Salvadori, Etiopia, Filipinet, Gambia, Gana, Japonia, India, Mali, Maroku, Mauricius, Moldova, Nigeri, Nigeria, Senegali, Sri Lanka, Sudani, Tunizia, Ukraina.

Për më tepër, 2.000 nga 18 mijë kuotat e këtij dekreti u rezervohen autorizimeve shumëvjeçare, me fjalë të tjera, punonjësve që janë thirrur për të bërë punë sezonale në Itali, të paktën njëherë në pesë vjetët e fundit dhe për të cilët punëdhënësit mund të paraqesin kërkesa autorizimesh shumëvjeçare. Kjo do t’u lejojë ndërmarrjeve t’i sjellin në Itali vitet e ardhshme sapo të kenë nevojë për ta, pa pritur një dekret fluksesh.

-500 hyrje për punonjës të huaj josezonalë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;

-100 punonjës të pavarur apo të varur josezonale me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;

-2.400 hyrje për punonjës të pavarur: sipërmarrës që duan të ngrenë në Itali një sipërmarrje Start-up apo të hapin një aktivitet privat duke investuar jo më pak se 500.000 € e që parashikon hapjen e të paktën 3 vendeve të reja pune, apo profesionistë, administratorë shoqërish, artistë të famshëm.

Të interesuarit për procedurën e marrjes së vizës së hyrjes për punë të pavarur, mund të konsultojnë portalin e Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane.

Konvertime

Autorizohet konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur:

-4.750 lejeqëndrimeve për punë sezonale;

-3.500 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

-800 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane;

Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur të:

-700 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

-100 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.

Paraqitja e kërkesave

Kërkesat për punonjësit josezonalë, të pavarurit dhe konvertimet do të mund të nisen online nga ora 9:00 e 16 prillit 2019.

Kërkesat për punonjësit sezonalë do të mund të nisen nga ora 9:00 e 24 prillit 2019.

Për të gjitha llojet e hyrjeve dhe konvertimeve, do të mund të paraqiten kërkesa deri në 31 dhjetor 2019. Kuotat do të jepen sipas rendit të trajtimit të kërkesave që do të ndjekë atë të nisjes së tyre./Shqiptari i Italisë/