Shtëpi e re për nënën me 4 jetimë: ”Edhe pse me dhimbje në shpirt, tani ndihem shumë e lumtur” (Video)

672
0

Në fillim të muajit Shkurt emisioni “Stop” transmetoi rastin e familjes së Migena Buzarakaj. Ajo jetonte me 4 fëmijët e saj nga 4 deri në 8 vjeç, në një dhomë të vetme me lagështirë, në fshatin Kashisht, liruar nga një i afërm.

Bashkëshorti kishte ndërruar jetë nga kanceri disa muaj më parë. “Tani jam vetëm unë dhe 4 fëmijët e mi, sepse burri po bën tre muaj që ka vdekur nga një sëmundje e keqe.

Është shumë e vështirë. Nuk kam as shtëpi as asnjë gjë. Të rrish tek shtëpia e tjetrit është shumë e vështirë, por kur s’ke ku të fusësh kokën, kur s’ke ku të çosh fëmijët…

Sikur të kisha një dhomë ku të fus kokën, sepse fëmijët i kam të sëmurë nga laringu. I bej aparatin në mëngjes dhe në darkë. Ngela dyerve të spitaleve, para një jave e kisha gocën e shtruar me ftohje. Dritares i kemi vënë plasmas sepse futet shiu brenda. Plasmasi bën zhurmë dhe këta tremben, por i gënjej ashtu siç di vetë. Ça do bëj? Do bëhem e fortë. Për momentin ne nuk kemi asnjë gjë për të ngrënë. (Fëmijët) kërkojnë të hanë. U them do të të bëjë mami më vonë, dale se mami ka këtë punën në dorë… i gënjej që të harrojnë. Se kur s’kam, ça do t’u jap, ky ishte fati jonë”, thoshte Migena një muaj më parë.

Emisioni “Stop” dhe “Fundjavë Ndryshe” u kthyen në Fier për të përuruar shtëpinë e re të Migenës dhe fëmijëve të saj, mundësuar nga një shqiptar nga Llojani i Kumanovës, ndërsa arredimi nga institucioni financiar FAF.

Arbër Hajdari, Fundjavë Ndryshe: Migena, kjo është shtëpia juaj. Është shtëpi e madhe dhe ne kemi menduar të jetë e madhe, që të mos jesh vetëm, por të jetosh me njerëzit e tu për shkak të fëmijëve. Apartamenti është i ri, tani do ju tregoj edhe dhomat e tjera. Këtu kemi bërë kuzhinën, atje është ballkoni, këtu është këndi i ngrënies. Shtëpia ka dy banja.

Gazetarja: E kishe menduar se do të kishe një dhomë kaq të bukur?

Djali i Migenës: Jo!

Gazetarja: Të pëlqen?

Djali i Migenës: Po, shumë.

Migena Buzarakaj: Tani ndihem shumë e lumtur. Edhe pse kam dhimbje në shpirt, tani ndihem shumë e lumtur. I falënderoj të gjithë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj sa e lumtur jam, ju falënderoj të gjithëve.

Arbër Hajdari, Fundjavë Ndryshe: Për familjen tënde ka kontribuar një shqiptar i Kumanovës dhe institucioni FAF. Gjej rastin t’i falënderoj për gjithë këtë shtëpi që është blerë për ty dhe familjen tënde dhe shpresoj që të kenë marrë fund dhimbjet tuaja si dhe të bëhesh e fortë për të rritur fëmijët, sepse Zoti t’i ka dhënë dhe janë bereqet i madh. Kjo shtëpi është e jotja, ky është çelësi i shtëpisë. Ta gëzosh.

Babai i Migenës u ngrit në këmbë dhe mes lotësh falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar.”Ju ndihmoftë zoti të gjithëve”.

Ndërsa nëna e saj tha se “sot që i kanë rregulluar këto ndihem më lehtë, shumë faleminderit juve në radhë të parë. Zoti ju ndihmoftë të gjithëve ju që i hodhët sytë nga ne.”

Drejtuesit e Emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj falënderuan përzemërsisht shqiptarin nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, i cili megjithëse kishte investuar një shumë të madhe parash për blerjen e shtëpisë, kishte kërkuar të mbeste anonim. “Lum nëna që të ka”, tha Saimir Kodra. /tvklan.al