Sopranoja e njohur shqiptare, Inva Mula është nderuar sot me titullin ‘Urdhri i Yllit të Italisë’, të cilin ia dorëzoi ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci.
Ky titull iu dha gjatë ceremonisë që u mbajt në rezidencën e ambasadorit të Italisë në Tiranë, i cili tha se motivacioni i këtij nderimi, është për karrierën e saj të jashtëzakonshme për përhapjen e kulturës, muzikës dhe artit.
“Jam i lumtur që kam në rezidencën e Ambasadës italiane, artisten e madhe, një interpretuese të shkëlqyer, zonjën Inva Mula. Motivacioni i këtij nderimi, është për karrierën e saj të jashtëzakonshme, si soprano e vlerësuar pa diskutim në Shqipëri, Itali dhe në botë, për përhapjen e kulturës, muzikës, artit dhe historisë italiane, përmes operave të mëdha, të shkruar nga kompozitorët italianë dhe interpretuar në mënyrë të mrekullueshme prej saj, në teatrot e gjithë botës”, u shpreh Fabrizio Bucci.
Sopranoja me famë ndërkombëtare, pas marrjes së titullit ka thënë se është e prekur nga ky nderim dhe se artistët kanë nevojë për kulturën italiane.
“Kam marrë shumë tituj nga shumë vende të botës. Por kjo më ka prekur, sepse të gjithë ne artistët kemi nevojë për këtë kulturë italiane. Shumë e bukur për arsye se këtu vetë muzika, arti nuk kanë kufij. Po të bëjmë një retrospektivë të karrierës, rolet më të bukura që më kanë hapur dyert në botë janë veprat italiane. Është vit dëshpërues për të gjtihë artistët. Kam komunikuar meshumë artistë. Kemi qarë hallet me njëri-tjetrin. Të gjithë artistët kanë treguar dëshirën për të qenë përpara publiku”, tha sopranoja inva Mula.