Shqiptarët po ikin, bizneset ulin qepenat në Durrës, nuk gjejnë dot punëtorë!

1126
0

Shqipëria u zbraz nga popullsia e saj dhe ky është një realitet i prekshëm jo vetëm nga ata që të afërmit ju emigruan larg për një jetë më të mirë, por këtë realitet sot e ndjejnë që nga furrtari i lagjes që nuk shet më as gjysmën e bukëve që piqte deri para një viti, e deri tek dyqani i lagjes që u mbyll se nuk gjeti punëtore.

Lagjja nr.7 në Durrës gjendet midis Muzeumit të Dëshmorëve dhe godinës së Drejtorisë së Policisë të Qarkut Durrës, një zonë qendër ku jetojnë banorë me mesataren e shpenzimeve ditore të popullsisë.

Dy dyqane ushqimore ku fruta-perimet gjendeshin të freskëta janë mbyllur në dy javët e fundit. I pari ishte brenda lagjes. Pronari që e punonte bashkë me bashkëshorten mësuam se ka ikur në Itali bashkë me tre fëmijët, sepse nuk dilte më për të ushqyer pesë gojë.

Dyqani i dytë gjendet në rrugë kryesore “Aleksandër Goga”. Pronarët kanë më shumë se dy javë që kërkojnë punëtore për orarin e paradites. Kanë vënë edhe shpallje për punëtore por nuk kanë gjetur deri tani.

“Kemi shkuar ditë për ditë tek Zyra e Punës nuk ka kandidatë. Paga është 250 mijë në muaj me siguracione. Tetë orë vetëm paradite, por s’ka punëtorë. Kanë ikur jashtë nuk ka më fuqi punëtore” thotë Arbri, i cili dyqanin e hap vetëm pasdite, pasi paradite është në punë. Paguajnë qiranë, taksa e tatime. Të gjitha detyrimet.

Të njëjtin problem kanë shumë subjekte biznesi prej gati një viti në Durrës. Ashtu si ky dyqan lagjeje edhe supermarketet kanë të njëjtin problem. Nuk sigurojnë dot punëtorë për të punësuar në supermarkete. Por edhe fabrikat e rrobaqepësive, të përpunimit të lëndës së parë prej kohësh kanë shfaqur këtë problem, mungesën e fuqisë punëtore.
Nuk bëhet më fjalë për punëtorë të kualifikuar, sepse punëdhënësit i përgatisin nëpërmjet kurseve profesionale. Në treg mungojnë të rinjtë të aftë për punë e me dëshirë për të punuar.

Fabrikat që gjenden në zonën industriale të Shkozetit që operojnë kryesisht në tregti, marketing dhe shpërndarje, nuk po gjejnë më djem të rinj të aftë për të punuar.
Paga mesatare e punëtorëve në këta sektorë varion nga 25 deri në 35 mijë në muaj dhe sigurisht u paguhen edhe detyrimet e sigurimeve shoqërore. Me këto paga, të rinjtë që janë edhe forca vitale e vendit kanë parë mundësinë për t’u larguar. Biznesi në vend sipas fuqisë dhe të ardhurave përcakton pagat. Por biznesi në kohë krizash jo rrallë herë shkon deri në kufijtë e mbijetesës dhe falimenton për shkak të politikave të këqija dhe mungesës së subvencionit nga shteti.

Pagat në Shqipëri nuk plotësojnë as nevojat minimale për të mbijetuar e aq më pak për të krijuar familje e për të rritur fëmijët me këto të ardhura.

Nuk është e largët dita që Shqipëria do të mbetet pa krahun e punës, pa fuqinë vitale të kombit. Këta të rinj që po arratisen nga vendi kanë shkaktuar “tërmet” me uljen drastike të lindjeve në dy vitet e fundit.

Ashtu si dyqanet që me vështirësi gjejnë fuqi punëtore në rastin konkret shitëse, më herët ishte alarmi nga shërbimi shëndetësor. Mjekët dhe infermierët u larguan masivisht nga vendi dhe “arratisja” ende nuk ka marrë fund.

Do vijë shpejt dita që ashtu si Italia e Greqia fqinje do i hapim dyert emigrantëve indianë, pakistanezë e afrikanë për të jetuar e punuar në këtë vend, sepse Shqipëria nuk ju dha të ardhme bijve të saj, por i përzuri nga shtëpitë në moshën më të bukur, atëherë kur duhet të rrisnin fëmijët në vendin e tyre./Durrësi lajme