Për një javë Shqipëria do të jetë nën pushtimin e stuhisë me reshje shiu dhe erë të fortë. Sipas sinoptikëve, e marta dhe e mërkura do të jenë më problematike.
“Do të jetë dita e martë e cila do të ketë reshje intensive në veri dhe veriperëndim, por herë pas here edhe në qendër. E mërkura do të përfshijë gjithë territorin me reshje intensive”.
Zonat veriore rrezikohen më shumë për përmbytje, por problematika të tilla do të ketë edhe në disa qarqe në qendër dhe në jug.
“Rrezikohet qarku i Shkodrës, Lezhës, Kukësit, Bajram Curri, Laç, Krujë, Tiranë, Vlorë. Era problem mbi 100 km/orë”.
Në fundjavë reshjet do të jenë më të pakta, por vendi do të përfshihet nga acari.
“Të shtunën vjen i ftohti polar, do rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore”.
Nisur nga parashikimet e motit, edhe Ministria e Mbrojtjes dha alarmin për rrezikun e përmbytjeve nga shtrëngatat në vend, ndërsa publikoi edhe një hartë të zonave më të rrezikuara.
Ajo kërkoi të merren masa nga të gjitha instancat vendore.