Shqipëria në dorë të Braçes, ‘arratisen’ tre krerët e shtetit

589
0

Këtë të hënë, vendi është në dorë të zëvendës kryeministrit Erjon Braçe. Ai është autoriteti më i lartë vendimmarrës nëse shteti përballet me ndonjë emergjencë kombëtare, i cenohet siguria apo ndodh ndonjë ngjarje e rëndësisë specifike.

Tre krerët e tjerë më të lartë të shtetit, që sipas Kushtetutës janë Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri nuk ndodhen në Shqipëri.

Presidenti Ilir Meta ndodhet në Itali, ku është i ftuar në kolegjin e mbrojtjes së NATO-s në Romë, me rastin e 10 vjetorit te futjes së Shqipërisë në Aleancën Euroatlantike.

Në Itali është edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka njoftuar se do të zhvillojë një vizitë zyrtare dy ditore ku do të takohet me homologun italian dhe shtetarë të tjerë në kuadër të lobimit për procesin integrues të vendit.

Sipas të dhënave jo zyrtare, edhe kreu i qeverisë, Edi Rama nuk është në Shqipëri. Ai ndodhet në një vizitë qeveritare në Katar.

E sikur të mos mjaftonin mungesat qeveritare, dy ditë pas protestës kombëtare opozitare, me një numër të lartë protestuesish të ndaluar dhe arrestuar, vendin e ka lënë dhe kreu i opozitës.

Lulzim Basha do të jetë në Lubjanë të Sllovenisë, pjesë e një takimi mbi fuqizimin e demokracisë në vendet e Ballkanit.

Më herët protokolli e ndalonte daljen jashtë vendit njëkohësisht të Presidentit, kreu të Kuvendit dhe Kryeministrit, me qëllim që një shtetar i lartë të ishte në atdhe për menaxhimin e çdo situate emergjente, por kjo normë nuk zbatohet më prej kohësh./shqiptarja.com/