Shpenzoi 700€ për një natë, reagon ministrja Etilda Gjonaj: Ja si qëndron e vërteta

737
0

Ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj reagon pas lajmeve të publikuara në media, se ka harxhuar 700 euro për një natë në hotele luksoze.

Gjonaj shprehet se nga dita e parë e punës dhe deri më sot, ka vepruar në çdo rast konform ligjit dhe në respekt të plotë të tij.

‘Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim, do të arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është fjetje për dy net’, shkruan Gjonaj mes të tjerash.

Reagimi i plotë:

E ndjej për detyrë që të bëj një sqarim publik rreth atyre çfarë janë dhënë nga disa media për mua këto 24 orët e fundit.

Më lejoni që në këtë reagim publik timin, të shpreh para së gjithash se personalisht unë dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë, kemi qenë tejet transparent në respekt të të drejtës së medias për t’i ofruar informacionin e kërkuar, ashtu siç është trajtuar çdo kërkesë e çdo qytetari në respekt të transparencës për çdo veprim financiar të Ministrisë së Drejtësisë.

E deklaroj me përgjegjësi të plotë, ligjore dhe morale, se në funksionin tim nga dita e parë e punës dhe deri më sot, personalisht kam vepruar në çdo rast konform ligjit dhe në respekt të plotë të tij. Ftoj cilëndo media dhe gazetar që të investigojë gjithë punën time në funksionin e Ministres së Drejtësisë, përfshi dhe menaxhimin e burimeve financiare duke i garantuar që ashtu siç i kam vënë në dispozicion, do të vazhdoj t’i ofroj me maksimumin e transparencës çdo informacion konform ligjit.

Besoj se më të njëjtën transparencë që Ministria e Drejtësisë ka vepruar duke i ofruar të dhënat e kërkuara, të njëjtën transparencë dhe profesionalizëm do të duhej të kishte dëshmuar edhe media për të kryer verifikimet e duhura dhe për t’i paraqitur ato me vërtetësi jashtë interpretimeve dashakeqe dhe spekulative.

Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim, do të arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është fjetje për dy net. Për të shtuar, që faturat e publikuara nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por përmbajnë shpenzimet e të gjithë delegacionit që merrte pjesë në këto aktivitete, ku në shumicën e rasteve hotelet për shkak të sigurisë për të gjitha delegacionet përcaktohen nga organizatorët apo ftuesit, që shpenzimet e fjetjes apo të biletave në shumë raste janë në varësi edhe të periudhës së kërkuar që mund të përkojë me një fluks të pronotimeve në ato vende apo për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë ardhur ftesat apo axhendës së diktuar nga pala pritëse.

Nëse media do të verifikonte, do të konstatonte që si ministre gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit kam udhëtuar edhe me tren si një qytetare e zakonshme për të arritur në kohë dhe më me pak kosto për vizitat e punës.

Ashtu siç do të verifikonte që si ministre kam kryer vizitat zyrtare brenda të njëjtës ditë duke shpenzuar 0 lek për hotelin, apo raste të tjera ku shpenzimet mbulohen nga organizatorët e huaj. Askush nuk e publikoi këtë për t’ju treguar shqiptarëve të vërtetën siç është dhe jo siç duan t’ia imponojnë. Në këtë pikë, portali që mori përsipër ta bënte këtë “transparencë” do duhej të publikonte dhe të analizonte edhe informacionin që i është dhënë edhe për udhëtime pune të tjera.

Nëse media do të verifikonte procedurat dhe dokumentacionin, do të konstatonte lehtësisht që procedurat për shërbimet e udhëtimit në bazë të VKM Nr. 914 datë 29.12.2014 “Për miratim të rregullave për prokurimin publik”, të ndryshuar, prokurohen publikisht nëpërmjet sistemit të elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik.

Media dhe kushdo, e kupton mjaft mirë që në asnjë rast nuk është një proces me të cilin ministri merret personalisht pasi është detyrë e stafit administrativ apo institucioneve përgjegjëse. Gjithsesi kjo nuk më largon mua nga përgjegjësia për të verifikuar zbatimin e ligjshmërisë prej tyre në procedurat e prokurimit dhe mirëadministrimit të burimeve financiare në tërësi.

Duke mbajtur në konsideratë ndjeshmërinë që krijoi në publik ky lajm kam nisur një proces verifikimi dhe auditimi të brendshëm për të gjitha procedurat e kryera nga stafi i Ministrisë së drejtësisë nga i cili rezultoi se çdo procedurë është në zbatim të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi.

Po gjithashtu këto procedura janë gjetur në përputhje nga KLSH në raportin e fundit përfundimtar të depozituar në MD më 31.07.2019. Por në çdo rast, për transparencë do t’i kërkoj edhe institucioneve të tjera të pavarura nga Ministria e Drejtësisë të kryejnë kontrollin dhe inspektimin e nevojshëm për të verifikuar ligjshmërinë e të gjitha veprimeve dhe procedurave.

Që në krye të këtij misioni të rëndësishëm që jam duke përmbushur, u përpoqa të llogaris që pjesë e rrugëtimit tim të vështirë do të jenë edhe kritikat, edhe sulmet, edhe balta, si në aspektin profesional, si në atë personal apo familjar. Ndihem e keqardhur nga ky sulm i paprecedent në disa portale mediatike të cilat kanë hedhur baltë dhe llum pa fund për mua por njëkohësisht kanë nxitur qëllimisht opinionin me komente, shprehje e aludime fyese dhe poshtëruese, për të më baltosur personalisht, si zyrtare, si grua, bashkëshorte dhe nënë.

Mundohem të mirëkuptoj të gjitha ndjeshmëritë e krijuara nga qytetarët e thjeshtë përkundër një lajmi të tillë, për mënyrën se si ai është shitur në tregun mediatik dhe i siguroj të gjithë ata që besojnë sadopak tek unë si person dhe zyrtare e shtetit se do ti shkoj deri në fund këtij procesi.

Fatkeqësisht jetojmë në një realitet ku të duhet të paguash kosto të rënda nëse je një grua në politikë dhe për më tepër nëse shërben pa treguar asnjë kompromis me paligjshmërinë. Personalisht kam kohë që po i vuaj këto kosto, unë dhe familja ime dhe kjo vetëm, se ju kam qëndruar përballë dhe me kurajo shkelësve të ligjit.

Pavarësisht kësaj, ligjshmëria dhe lufta kundër çdo veprimi korruptiv janë dhe do të vazhdojnë të jenë kryefjala gjatë gjithë detyrës sime.