Shokuese/ Fëmija 1 vjeç u infektua me HIV në QSUT, prindërit mes lotësh: Na u shkatërrua jeta, shteti na.. (Video)

491
0

Ishte 27 nëntor 2021, kur jeta e një familje të sapokrijuar do të shkatërrohej. Dy prindërit, do të mësonin se fëmija i tyre 1 vjeç ishte infektuar me HIV. Dyshimet e tyre bien mbi spitalin QSUT, në reanimacionin e Pediatrisë, ku djali, u shtrua për disa ditë pasi vuante nga bronkopneumonia.

Takimet e prindërve me djalin do të ishin vetëm 5 minuta në çdo 3 orë dhe kjo situatë zgjati deri në 9 dhjetor 2021. Nga analizat e realizuara, ato do të mësonin se djali i tyre mbarte një trup virusin HIV, që ata ende nuk e dinë se si është marrë, pasi spitali dhe të gjitha institucionet nuk kanë dhënë asnjë shpjegim. Prindërit, përforcojnë akuzat ndaj spitalit, pasi në dy teste që kanë kryer, si në shtetin gjerman dhe atë italian, kanë rezultuar negativë nga HIV-i.

Prindërit, tregojnë se nuk kanë gjetur mbështetjen e shtetit shqiptar në lidhje me këtë rast dhe se strehim dhe kurat e nevojshme, i kanë gjetur nga një shtet fqinj, ku dhe ndodhen aktualisht. Mes lotësh, prindërit, i bëjnë apel shtetit që t’i ndihmojë dhe kërkojnë që edhe fëmijët e tjerë që ndodheshin asokohe në reanimacion me të voglin e tyre të testohen, pasi sipas tyre, edhe ata mund të jenë të rriskuar nga virusi Hiv.

Mjeku infeksionist, Ilir Alimehmeti konfirmoi se infektimi me HIV në spital është një fenomen që ndodh kudo në botë, edhe pse në raste tepër të rralla .

Prindërit e vogëlushit, kanë vendosur në dispozicion të News 24 të gjitha komunikimet që kanë pasur me mjekët dhe zyrtarët shëndetësorë. Ata kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme një takim me ministren Ogerta Manastirliu, por kjo gjë nuk është mundësuar. Në këto kushte, ata kanë lidhur një urë komunikimi me zyrtarë të tjerë. Në mesazhe, shihet se prindërit kanë biseduar me zv.ministren Mira Rakacolli dhe shefen e ISHP, por pa mundur të marrin sqarime të detajuara.

Gjithashtu ata i janë drejtuar prokurorisë, ku prokurori Hysi vendosi mosfillimin e hetimit për çështjen duke argumentuar sipas tij, që personat e kallëzuar nga dy prindërit nuk kanë bërë akte të përafërta me neglizhencën mjekësore dhe sipas tij, nuk kanë konsumuar një vepër penale. Por ky vendim, u kundërshtua nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, që u shpreh se ka gjurmë të neglizhencës mjekësore dhe kërkoi rifillim të hetimit. Aktualisht, çështja do të vendoset në Gjykatën e Apelit.